Botë

Kisha ku mbahet ceremonia për Navalnyn është “e zhytur” në luftën që ai e kundërshtoi

Lideri opozitar rus, Alexei Navalny ishte një i krishterë, që dënoi pushtimin e Ukrainës si një veprim të çmendur, të ndërtuar mbi gënjeshtra. Por kisha që është caktuar për të organizuar funeralin e tij i ka dhënë donacione ushtrisë ruse dhe ka paraqitur me entuziazëm mbështetjen e saj për luftën.

Navalny ka vdekur papritmas më 16 shkurt në një koloni penale në Arktik, ku po vuante dënimin me burgim, me më shumë se 30 vjet në total. Kremlini i ka mohuar deklaratat e familjarëve të tij se e ka vrarë Navalnyn, raporton Reuters.

Pas një jave përpjekjesh të nënës së tij, Lyudmila Navalnaya për ta marrë trupin, mbështetësit kanë thënë ketë javë se funerali do të mbahet të premten në kishën "Quench my Sorroës" pranë vendit ku dikur jetonte Navalny, në juglindje të Moskës, i ndjekur nga një varrim në një varrezë afër.

Gruaja e Navalnyt ka deklaruar këtë javë se nuk ishte e sigurt nëse ngjarja do të kalonte në mënyrë paqësore, duke shprehur dyshimet se policia do të arrestonte mbështetësit e burrit të saj. Avokatët kanë këshilluar ata që planifikojnë të marrin pjesë, që të reduktojnë rrezikun, duke mos mbajtur pankarta, duke mos veshur bluza me slogane ose duke mos iu dorëzuar ndonjë "provokimi".

Nëse funerali mbahet sipas planifikimeve, Navalny nuk mund të presë një eulogji që pasqyron vitet e tij të kundërshtimit ndaj presidentit, Vladimir Putin, dhe kritikat e tij të ashpra për pushtimin e Ukrainës.

Postimet e shumta në platformat e mediave sociale të kishës brenda dy javëve të fundit e bëjnë të qartë mbështetjen e saj për luftën.

Në një video, një prift dhe një burrë tjetër shfaqen duke qëndruar përpara një automjeti SUV Niva pranë kishës. Një zë i paidentifikuar mashkullor thotë se është blerë me fonde të dhuruara për të ndihmuar "luftëtarët tanë" në Ukrainë dhe u uron atyre fitore dhe një kthim të sigurt.

Një video tjetër, e postuar nga shkolla e së dielës e kishës, tregon tetë vajza të reja, të gjitha përveç njërës prej tyre me kapele të gjelbra të stilit të ushtrisë - duke performuar në skenë javën e kaluar për të shënuar ditën e "Mbrojtësit të Atdheut", një festë kombëtare.