Botë

Kina akuzon SHBA-në se është bërë kërcënimi më i madh për sigurinë e hapësirës

Shtetet e Bashkuara po vendosin në mënyrë aktive armë sulmuese në hapësirë dhe po kryejnë stërvitje ushtarake, gjë që e bën atë kërcënimin më të madh për sigurinë e hapësirës, ka thënë të enjten në një konferencë zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjesm Zhang Xiaogang.

“SHBA-ja është bërë tashmë forca më e madhe lëvizëse në militarizimin e hapësirës dhe shndërrimin e saj në një fushëbetejë; është bërë kërcënimi më i madh për sigurinë e hapësirës”, ka thënë ai, raporton AP.

Sipas Xiaogang, SHBA-ja e përkufizon hapësirën si “fushëbetejë”. Zhang ka thënë se SHBA-ja ka zhvilluar dhe dislokuar armë sulmuese hapësinore, duke organizuar stërvitje ushtarake hapësinore dhe duke kryer eksperimente teknike.

“Shtetet e Bashkuara po gjurmojnë me keqdashje anijet kozmike të vendeve të tjera dhe u afrohen rrezikshëm atyre, duke krijuar rrezik përplasjeje”, ka shtuar ai.

Sipas zyrtarit të mbrojtjes, Kina gjithmonë i është përmbajtur përdorimit paqësor të hapësirës dhe ka kundërshtuar garën e armëve hapësinore.

Më herët, sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së, Frank Kendall ka thënë se Forcat Ajrore të SHBA-së (USAF) do të kryejnë riorganizim në shkallë të gjerë mes kërcënimit në rritje të konfrontimit të armatosur me Kinën.

Ai ka thënë se riorganizimi ishte i nevojshëm për të adresuar problemet ekzistuese dhe për të ruajtur konkurrencën e forcave të armatosura të SHBA-së.

Plani i riorganizimit kërkon konsolidimin e disa komandave të USAF-it, integrimin e formacioneve të aviacionit luftarakë dhe bombardues në njësi të vetme, forcimin e strukturave përgjegjëse për proceset e planifikimit dhe buxhetit dhe ndryshime të tjera.