Botë

Von der Leyen: Me ose pa SHBA-në, s’mund ta lëmë Rusinë të fitojë

Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë që Rusia ta fitojë luftën në Ukrainë, pavarësisht se çfarë ndodh në Shtetet e Bashkuara pas zgjedhjeve presidenciale, ka thënë të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raportoi “Euronews”.

Para deputetëve të Parlamentit Evropian, Von der Leyeni ka thënë se Evropa nuk e ka luksin e rehatisë në lidhje me këtë çështje.

"Nuk e kemi kontrollin e zgjedhjeve apo vendimeve në pjesë të tjera të botës. Thjesht nuk kemi kohë për ta anashkaluar çështjen. Me ose pa mbështetjen e partnerëve tanë, nuk mund ta lëmë Rusinë të fitojë. Kostoja e pasigurisë - kostoja e një fitoreje ruse - është shumë më e madhe se çdo kursim që mund të bëjmë tani”, ka thënë ajo.

Kërkesa e saj vjen pas komenteve të bëra nga Donald Trumpi, kandidati kryesor republikan, i cili tha hapur se do të "inkurajonte Rusinë të bënte çfarë të dojë kundër vendeve të NATO-s që nuk arrijnë t’i kryejnë shpenzimet e mbrojtjes”.

Në fjalimin e saj në Strasburg, Von der Leyen tha se Evropa ka jetuar nën iluzionin se paqja është e përhershme.

“Kontinenti duhet të jetë gati për luftë. Kërcënimi i luftës mund të mos jetë afër, por nuk është i pamundur”, ka shtuar ajo.