Botë

Nëna e Navalnyt po refuzon që të negociojë për varrimin e tij

Foto: Reuters

Nëna e Navalnyt, Lyudmila Navalnaya, po refuzon që të negociojë me hetuesit, lidhur me mënyrën e varrimit të djalit të saj.

Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, ka shkruar në X, se Navalnaya ka refuzuar të negociojë pasi hetuesit i dhanë ultimatum për të vendosur për një varrim sekret, ose në të kundërt djali i saj do të varrosej në koloninë ku po mbahej.

"Ajo kërkon që ata të respektojnë ligjin, i cili detyron hetuesit të dorëzojnë trupin brenda dy ditëve nga përcaktimi i shkaqeve të vdekjes”, ka shkruar Yarmysh.

Të enjten, Navalnaya ka deklaruar se asaj i ishte treguar trupi i djalit të saj, por autoritetet po e “shantazhonin” atë për ta varrosur në një ceremoni sekrete.

Navalnaya ka bërë të ditur se hetuesit kishin kërcënuar se do ta linin trupin e djalit të saj të kalbej nëse ai nuk varrosej në fshehtësi. Ajo ka thënë po ashtu se një hetues i kishte thënë: “koha nuk është në anën tuaj. Kufomat dekompozohen”.

Navalnaya u detyrua të nënshkruante një certifikatë vdekjeje ku shkruhej se djali i saj vdiq nga shkaqe natyrore.

Më 16 shkurt autoritetet e burgut të Rusisë raportuan se Navalny nuk ishte ndjerë mirë pas një shëtitjeje dhe mbeti pa ndjenja në burgun në qytetin Kharp. Sipas autoriteteve ruse, ndonëse një ambulancë mbërriti në vendngjarje, ata nuk kanë arritur ta shpëtojnë atë.

Ekipi i Navalny dhe e veja e tij, Yulia, kanë thënë se ai u vra nga autoritetet ruse. Kremlini mohon çdo përfshirje në vdekjen e Navalnyt.