Nënës së Alexei Navalny i është kërkuar që të pajtohet me një varrim "të fshehtë" të djalit të saj brenda tri orëve, ka thënë zëdhënësja e tij.
Nëse Lyudmila Navalnaya nuk pajtohet, ai do të varroset në burgun ku vdiq një javë më parë, ka shtuar zëdhënësja, raportoi BBC-ja.
Të enjten, Navalnaya ka thënë se ajo ishte detyruar të nënshkruante një certifikatë vdekjeje ku shkruhej se djali i saj vdiq nga shkaqe natyrore.
E veja e Navalny, Yulia, ka thënë se ai u vra nga autoritetet ruse.
Navalny vdiq në një koloni burgu më 16 shkurt. Zyrtarët e burgut patën deklaruar se ai nuk ndihej mirë pas një "shëtitjeje".
Por Yulia Navalnaya ka pohuar se ai u vra me urdhër të Putinit dhe u zotua të vazhdojë luftën e tij.
Kremlini i ka mohuar akuzat, duke e quajtur histerik reagimin perëndimor ndaj vdekjes.
Në gusht 2020, ish-udhëheqësi i opozitës u helmua duke përdorur agjentin nervor Novichok nga një ekip vrasësish të mundshëm nga shërbimet sekrete ruse. I transportuar me avion në Gjermani, ai u shërua atje përpara se të kthehej në Rusi në janar 2021, ku u burgos.
Përpjekjet për të përkujtuar vdekjen e tij janë përballur me përgjigje të ashpër nga autoritetet ruse, me qindra të arrestuar.