Botë

Gjermania gati ta legalizojë kanabisin për përdorim personal

Parlamenti i Gjermanisë pritet ta legalizojë pjesërisht kanabisin të premten, pas një debati të nxehtë për të mirat dhe të këqijat e lejimit të një qasjeje më të lehtë në drogë.

Sipas legjislacionit të ri, që do ta bënte Gjermaninë shtetin e tretë në Evropë që e legalizon drogën për përdorim personal, kanabisi do të largohej nga lista zyrtare e substancave të ndaluara. Të rriturve do tu lejohet të posedojnë 25g të njëkohshme, raportoi The Guardian.

Ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, ka deklaruar se legjislacioni i ri do t’ia mundësonte tregut që të pastrohej nga shitësit e drogës, të cilët i furnizojnë shumë nga 7 milionë gjermanët që vlerësohet se janë përdorues të rregullt të kanabisit. Qeveria ka thënë se shumë përdorues mbështeten në drogë për arsye mjekësore, dhe se ligji i ri do të përmirësonte kualitetin e kanabisit, të konsumuar nga një numër në rritje i të rinjve.

“Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve, është në zemrën e asaj që ligji synon të arrijë. Në dekadat e fundit, konsumimi nga fëmijët dhe të rinjtë është rritur”, ka thënë Lauterbach para votimit.

Sipas tij, ligji do të mundësonte që të bëhej kontrolli i shpërndarjes së drogës.

Mjekët kundër ndryshimit të ligjit kanë paralajmëruar se, përkundrazi, ligji do të rrezikojë shëndetin e të rinjve duke e bërë ilaçin më të aksesueshëm dhe duke rritur kështu rrezikun e varësisë.

Koalicioni trepalësh i udhëhequr nga kancelari, Olaf Scholz, duke përfshirë socialdemokratët, të gjelbërt dhe FDP-në pro-biznesit, ranë dakord në nëntor për të vazhduar me reformën, duke e përfshirë atë në marrëveshjen e tyre të koalicionit për ndarjen e pushtetit.

Të rriturve do tu lejohet të rritin deri në tri bimë dhe të posedojnë sasi të vogla kanabisi nga 1 prilli, dhe tre muaj më vonë ai do të jetë gjithashtu i disponueshëm në klubet jofitimprurëse të licencuara të krijuara për të rritur dhe shpërndarë bimën e kanabisit.

Konsumimi i kanabisit për personat nën 18 vjeç do të vazhdojë të jetë i ndaluar, deri sa, atyre nga 18 deri në 21 vjeç, do t’u lejohet të blejnë deri në 30g kanabis me përmbajtje të THC, maksimum 10%.