Lideri famëkeq i bandës “Los Choneros”, Jose Adolfo Macias, u arratis nga burgu më 8 janar të këtij viti. Ekuadori shpalli gjendje emergjente. Në kompleksin e burgjeve në Guayaquil, ku po vuante dënimin Macias, janë pesë burgje e në total gjenden 12 mijë të burgosur
Me banjë, krevat të përmasave të mëdha dhe një frigorifer të vogël, qelia komode e liderit famëkeq të bandës Los Choneros, José Adolfo Macías, ngjasonte më tepër në dhomë të ndonjë hoteli sesa në qeli të burgut më të madh të Ekuadorit.
Kjo është “më mirë se në shtëpi... ai jeton si mbret”, kishte thënë një ushtar. Qelia është filmuar nga pjesëtarë të ushtrisë vitin e kaluar, ku shfaqej dhoma e Macías së bashku me oborrin personal, të mbushur me gjelat e tij luftarak.
Në një video tjetër të xhiruar brenda qelisë së Macías shihej një mur shumëngjyrësh ku portretizohet lideri i bandës i njohur si “Fito”, i cili paralajmëron “argjend ose plumb”. Kjo shprehje, e popullarizuar nga lordi kolumbian i drogës Pablo Escobar, ofron mundësi për pranimin e ryshfetit ose të qëllohet – një paralajmërim i mundshëm ndaj stafit të burgut.
Pamjet ofrojnë prova për realitetin e zymtë se sistemi i burgut të Ekuadorit është shndërruar në seli për grupet kriminale që kanë shtrirë ndikim në të gjithë vendin, kanë thënë ekspertët. Për gati një dekadë, krimi i organizuar ka kthyer vendin, dikur relativisht të qetë, në një ndër vendet më të rrezikshme në Amerikën Latine.
Masakrat në burg janë bërë më të shpeshta kohëve të fundit, çka ka çuar në vdekjen e qindra personave, disa prej të cilëve u gjetën të gjymtuar. Në trazirat e fundit, më shumë se 130 roja të burgut dhe punonjës administrativë u rrëmbyen nga disa burgje. Ata u liruan më pas.
“Grupet kriminale kanë marrë nën kontroll burgjet – prandaj ‘Fito’ kishte të gjitha këto benefite në burg: televizor, internet, ushqim, alkool, gra – gjithçka që ai donte”, ka thënë Jean Paul Pinto, ekspert i sigurisë ekuadoriane, i cili më herët kishte këshilluar policinë e inteligjencën e Ekuadorit.
Ekspertët thonë se të gjitha këto liri që i shijonte “mbreti i drogës” sa ishte i burgosur, janë gjithashtu arsyeja pse ai ishte në gjendje të arratisej nga burgu “La Regional” – arrati kjo që mori vëmendjen e botës dhe krijoi një stuhi të dhunës përgjatë vendit muajin e kaluar.
Burgjet janë jashtë kontrollit
Gati një dekadë më parë, Ekuadori filloi të humbte kontrollin e burgjeve të veta, thonë ekspertët. Një seri gabimesh nga liderët ekuadorianë ka lejuar që shkalla e kriminalitetit të zgjerohet nëpër sistemet e burgjeve, sipas Glaeldys González, eksperte për krimin e organizuar në grupin “International Crisis”. Këto gabime përfshinin transferime masive në burgje të synuara të shkatërronin këto grupe kriminale – lëvizje kjo që rezultoi e kundërt dhe vetëm sa i ndihmoi bandat të shpërndanin ndikimin e tyre përgjatë gjithë vendit, ka thënë ajo.
Politikat e reja të burgosjeve masive kanë ndihmuar bandat që të rekrutojnë anëtarë të rinj nëpër burgje, ndërsa demobilizimi i forcave guerile të Kolumbisë, FARC, në vitin 2017 u lejoi bandave ekuadoriane të mbushnin zbrazëtinë, kur erdhi te trafikimi i kokainës nga Kolumbia për në portet e Ekuadorit, thonë ekspertët.
Me rreth 30 mijë anëtarë të bandave në vend, shumë kriminelë të burgosur e kanë pasur të mundur të përdornin ndikimin e tyre jashtë mureve të burgut, për të kontrolluar rojet e burgut.
“Frikësimi është përdorur mbi stafin e burgut nga anëtarët e bandave, për të kryer aktivitete të paligjshme të kërkuara nga kriminelët, të cilët kanë kërcënuar të lëndonin familjet dhe të dashurit e tyre nëse nuk vepronin sipas kërkesave të tyre”, ka thënë Julio Cesar Ballesteros, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i SNAI dhe zëvendësministër i rehabilitimit social.
Ballesteros ka thënë për CNN se korrupsioni ka ndodhur për shkak se rojat e burgut ishin paguar shumë pak, punonin shumë dhe në kushte të rënda, ku mbipopullimi nënkuptonte se “nuk ka pasur mjaft roja për t’u kujdesur për numrin e madh të të burgosurve”.
Mbipopullimi i burgjeve të Ekuadorit ka rritur dhunën. Të burgosurit kanë thënë se njerëzve iu desh të flinin në korridore pa dyshekë dhe sipas të dhënave të SNAI-t, burgjet kanë pasur vitin e kaluar 3.250 dhe 4.150 njerëz mbi kapacitetin e tyre.
Ballesteros ka shtuar se grupet e organizuara kriminale “kanë kontrolluar gjithçka” nëpër burgje.
“Burgjet nuk janë më të administruara nga shteti, por nga brenda, ku kriminelët morën kontrollin...shumë zyrtarë të burgjeve, madje edhe zyrtarë të lartë, ishin ballafaquar ose me shantazh, ose me kërcënime, kështu që i mbyllën sytë dhe i lejuan aktivitetet e paligjshme”.
Një hetim i bërë nga Diana Salazar, prokurore e përgjithshme e Ekuadorit, zbuloi planin e një trafikanti të burgosur për të paguar stafin e burgut me një shumë prej 3.000 dollarësh për të sjellë derra për një festë për “ditën e të burgosurve”.

Mesazhet e ndara nga zyra e Salazarit tregojnë trafikantin duke thënë, “është sikur të jem drejtor këtu”, në mesazhet për bashkëpunuesit e tij jashtë burgut.
Është pjesë e një strukture nëpër regjion, kanë thënë ekspertët.
“Sistemi i burgut në Amerikën Latine ka qenë për një kohë të gjatë qendër trajnimi dhe seli e disa prej sindikatave më të fuqishme të kriminelëve në Amerikën Latine”, ka thënë Jeremy McDermott, bashkëthemelues i “InSight Crime”. “Dhe kështu nuk është çudi që kjo ka ndodhur edhe në Ekuador”.
Baladat e drogës dhe luftërat e gjelave
Macíasi është një nga gangsterët më famëkeq në Ekuador dhe është themeluesi i vetëm i “Los Chonerosit”, që është akoma gjallë. Në vitin 2011 ai u dënua “për një zinxhir të krimeve, duke përfshirë vrasje dhe trafikim të lëndëve narkotike”, sipas “InSight Crime”, por u arratis nga burgu në shkurt të 2013-s para se të rikapej disa muaj më vonë.
Pak dihet për jetën e tij para krimit, por 44-vjeçari fitoi reputacionin si eksperti i pastrimit të parave të bandës teksa ishte i burgosur për gati një dekadë. “Los Chonserosi” dhe rivali i tij kryesor, “Los Lobos”, besohen të jenë bërë aleatë me kartelet e drogës të Meksikës në luftën për dominim mbi tregtinë e drogës së Ekuadorit. “Los Lobosi” ka parë një mundësi në luftën e dhunshme për pushtet në “Los Choneros”, kur Macíasi u bë lider në vitin 2020, thonë ekspertët.
Lufta e brendshme e “Los Chonerosit”, si dhe lufta me “Los Lobosin”, atë vit shkaktoi shpërthim të dhunës në burgje dhe rritje të raste të vrasjeve në Ekuador – çka bëri Macíasin emër të njohur në Ekuador.
Më shumë se 300 njerëz kanë vdekur në burgje në vitin 2021, disa prej të cilëve u ishin prerë kokat në masakrat e tmerrshme, ku u panë të burgosurit të armatosur më armë automatike dhe madje edhe granata. Vrasjet dhe rivaliteti vazhdojnë edhe sot, ka thënë González.
Prapa mureve të burgut, pasiguria ekonomike në vend ka shtyrë shumë ekuadorianë drejt krimit ose ka detyruar të tjerët të largohen nga vendi.
Burgu “La Regional”, ku u burgos Macíasi para arratisë së tij të fundit, është njëra nga pesë burgjet që përbëjnë një kompleks të madh të burgjeve në Guayaquil – qytet port dhe rrugë e njohur për eksportin e kokainës jashtë vendit, që ka përjetuar disa prej dhunave më të përgjakshme mes bandave rivale.
Në një videoklip vitin e kaluar, lideri i “Los Chonerosit” shihet duke përkëdhelur një gjel, me sa duket brenda kompleksit të burgut në Guayaquil. Balada e drogës, e kënduar nga Mariachi Bravo, gjithashtu shfaq edhe vajzën e Macíasit, Michelle.
Supozimet për korrupsion janë lidhur me jetesën luksoze të Macíasit në burg, sidomos rreth arsyes se pse ai ishte burgosur në një burg të sigurisë së mesme në vend se të dërgohej në një burg të sigurisë maksimale.
Duke njoftuar sanksionet e SHBA-së mbi “Los Chonerosin” dhe Macíasin këtë muaj, Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka thënë se lideri i bandës “ka pasur qasje në telefon dhe internet, i cili e ka ndihmuar të vazhdojë aktivitetet direkte të ‘Los Chonerosit’ dhe të publikonte komunikime të jashtme”.
Një burim i ushtrisë ka thënë se Macíasi shijonte luftërat e gjelave ndërsa ishte në burg dhe se dhoma e tij ishte zmadhuar për të qenë e madhe sa dy qeli. Mbreti i drogës ka pasur mundësinë të merrte gra brenda qelisë teksa ishte i burgosur, ka thënë një burim.
Nuk ishte sekret se Macíasi po jetonte jetë relativisht luksoze në krahasim me të burgosurit e tjerë. Ai festoi me bujë të madhe ditëlindjen e 42-të, sipas Ecuavisas, rrjet televizori ekuadorian, i cili shfaqi pamje të fishekzjarrëve në burg dhe muzikë të lartë të dëgjuar nga kompleksi. Pamjet tregojnë liderin duke pozuar për foto përballë, siç duket, tortës së ditëlindjes.
“Mos i tregoni Fitos”
Në dhjetor, presidenti i ri i Ekuadorit, Daniel Noboa, bëri shaka gjatë një interviste se qelia e Macíasit kishte më shumë priza elektrikë sesa “një dhomë në hotelet Marriott”. Kur u pyet mbi planin e qeverisë për të ndaluar veprimet e paligjshme të burgjeve, Noboa u përgjigj: “Kemi një plan të bukur, por mos i tregoni Fitos, mos i tregoni Fitos një herë”.
Qeveria kishte planifikuar të transferonte Macíasin në një burg të sigurisë së lartë. Por, Macíasi besohet se është informuar paraprakisht, çka ka shtyrë arratisjen e tij në janar. Gjatë kësaj kohe, gruaja dhe fëmijët e tij shkuan në Argjentinë, në qytetin Córdoba, ku u zhvendosën në një shtëpi të sapoblerë, sipas zyrtarëve në Argjentinë.
“Teoria jonë është se ka planifikuar blerjen e shtëpisë, të largojë familjen jashtë Ekuadorit dhe kur familja të largohej, ai të arratisej nga burgu”, ka thënë ministrja e sigurisë së Argjentinës, Patricia Bullrich. Familja e tij është dëbuar dy javë pas arritjes në Argjentinë, kanë thënë zyrtarët e Argjentinës.
Është e paqartë se kur dhe si u arratis Macíasi. Zëdhënësi i presidentit të Ekuadorit vlerëson që liderit të “Los Chonerosit” i kanë treguar për transferimin nga burgu.
“Po, me siguri ka pasur rrjedhje të informatave”, ka thënë Roberto Izurieta.
Pas lajmit të arratisjes së Macíasit shpërtheu dhuna në Ekuador dhe presidenti Noboa shpalli gjendjen emergjente më 8 janar. U morën peng policë dhe punonjës të burgut, ndodhën shpërthime me eksplozivë në disa qytete. Një studio e televizionit u sulmua nga burra të armatosur, një prokuror që po i hetonte bandat u vra dhe lideri i supozuar i bandës rivale “Los Lobos”, Fabricio Colón Pico u arratis bashkë me dhjetëra të burgosur të tjerë.
Noboa u shpalli luftën mes bandave, të cilat i përshkroi si “grupe narko-terroriste” që shijojnë përkrahjen e karteleve të huaja. Kjo luftë, e cila ka bërë që ushtria të vendoset për të ndihmuar forcat e mbingarkuara të policisë ekuadoriane, ka çuar në arrestimin e më shumë se 5,000 personave.
Por, ekspertët pyesin nëse militarizimi do të funksionojë si zgjidhje afatgjate për bandat kriminale kur shkaktarët bazë të dhunës në Ekuador – duke përfshirë korrupsionin sistematik, institucionet e dobëta të shtetit dhe vendndodhjen midis dy prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë – nuk kanë ndërruar.
Sot, ushtarët sillen rreth mureve të jashtme të kompleksit të burgut të Guayaquilit prej nga u arratis Macíasi. Presidenti Noboa, si pjesë e shtypjes së bandave, u zotua se do të ndërtonte më shumë burgje.
(Përktheu Latra Gashi)