Botë

Keqtrajtimi i migrantëve, zyrtarët serbë i detyrojnë të zhvishen në kufi në temperatura të ulëta

Descriptive Text

Videot që shfaqin grupe burrash të zhveshur në temperatura të ulëta dhe që detyrohen të kthehen nga kufiri serb në Maqedoninë e Veriut, janë dëshmi e përshkallëzimit të keqtrajtimit të migrantëve në kufijtë evropianë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.

Dy video që ka parë The Guardian nga “Legis”, një organizatë joqeveritare e Maqedonisë së Veriut, tregojnë një varg burrash gjysmë të zhveshur në një pjesë të rrugës afër kufirit serbo-maqedonas.

“Legis" pretendon se incidenti ishte i dyti pas dy kthimeve abuzive dhe “degraduese” përgjatë 24 orëve, kur thotë se më shumë se 50 njerëz u detyruan të zhvisheshin lakuriq ose gjysmë lakuriq nga autoritetet serbe para se të ktheheshin me forcë në Maqedoninë e Veriut.

“Legis” ka thënë se ka mundur të flasë me burrat, të cilët e kanë identifikuar veten si sirianë.

Jasmin Redjepi, presidente e organizatës, ka thënë se veprimet “shqetësuese dhe degraduese” vijnë pak pas një samiti bashkëpunimi kufitar BE-Serbi, që synonte forcimin e kufirit serb ndaj kontrabandës me njerëz.

Edhe pse është raportuar edhe më parë se migrantët janë zhveshur nëpër kufijtë evropianë, Redjepi ka thënë se kjo është hera e parë e raportuar në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Rados Djurovic, drejtor gjeneral i Qendrës për Mbrojtjen e Azilkërkuesve, ka thënë se stafi i tij ka parë rritje të numrit të kthimeve nga Serbia në Maqedoni të Veriut që në fillim të vitit. “Mund të themi se tani është një praktikë e rregullt”.

“Këto incidente jo vetëm që janë shqetësuese, por tregojnë për një trend më të gjerë shqetësues mes shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Këto veprime duket se shkelin Konventën evropiane për të drejtat e njeriut, e cila ndalon kthimin dhe dëbimin kolektiv, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare që kërkojnë sigurimin e qasjes efektive në azil për ata që e kërkojnë”, ka thënë Dunja Mijatovic, komisionere për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës.

Mijatovic ka thënë se abuzimi që duket se po ndodh në kufirin e Maqedonisë së Veriut është indikacion i keqtrajtimit të njerëzve të cenueshëm në kufijtë përreth Evropës, duke e quajtur fenomenin e kthimit ilegal një problem urgjent për Evropën.

Një raport nga “11.11.11”, OJQ belge, ka vlerësuar se mbi 346,000 kthime me forcë kanë ndodhur në kufijtë e jashtëm të Evropës në vitin 2023.

Redjepi ka bërë thirrje për hetim nga zyrat në Maqedoninë e Veriut dhe Serbisë, dhe që monitoruesit e të drejtave të njeriut të lejohen t’i vëzhgojnë operacionet policore, duke siguruar që “dhuna dhe çnjerëzimit të mos vazhdojnë”.

Policia serbe nuk është përgjigjur për koment.