Botë

Këshilli i Evropës bën thirrje për mbrojtje të migrantëve minorenë

Descriptive Text

Shtetet evropiane duhet të ndërmarrin masa më të mira për mbrojtje të migrantëve të rinj - fëmijë dhe adoleshentë - nga rreziku i dhunës seksuale ndaj të cilës mund të ekspozohen nga ana e kontrabanduesve me njerëz apo rrjeteve të prostitucionit, porositi mbrëmë Këshilli i Evropës.

Në kumtesën e kësaj organizate panevropiane ceket se në tërë problemin me valën e migrantëve, posaçërisht brengosëse është pozita e migrantëve minoren, të cilët në Evropë vijnë pa shoqërim të ndonjë anëtari të rritur të familjes.

“Këta të rinj janë posaçërisht të ndjeshëm. Ata lehtë bëhen cak i kriminelëve. Kontrabandistët u premtojnë ndihmë për t'i dërguar në vendin në të cilin dëshirojnë të shkojnë dhe kështu ata mund të bëhen viktima të prostitucionit”, deklaroi përfaqësuesja e Këshillit të Evropës, Xhoja Skapuçi.

Në kumtesë ceket se shumë vajza të cilat nga Afrika Perëndimore kanë arritur në Itali, janë detyruar në prostitucion me qëllim që ta paguajnë borxhin për “transportin” e kontrabanduesve të njerëzve.

Veprimet e tilla shpesh nuk regjistrohen dhe për këtë arsye janë anashkaluar, nga njëra anë për shkak se autoritetet nacionale nuk janë në mundësi t'i ndalin, ndërsa nga ana tjetër edhe sepse vetë viktimat rrallë flasin për atë që e përjetojnë, thuhet në kumtesë.