Botë

Trumpi nuk përjashtoi mundësinë e abuzimit me pushtetin

Retorika e Trumpit nëpër fushatë dhe planet e shpejta për shkarkimin e zyrtarëve federalë dhe përndjekja e rivalëve kanë alarmuar demokratët dhe janë shndërruar në argumentet kryesore për Bidenin teksa po përgatitet për një përsëritje të duelit me Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

(AP) - Ish-presidenti Donald Trump ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e abuzimit me pushtetin nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë, pasi moderatori Sean Hannity i Fox News Channel e pyeti të martën pas shqetësimeve nga kritikat e demokratëve ndaj retorikës së tij.

Kandidati republikan që po i prin garës për të fituar nominimin partiak ka folur për kritikat ndaj rivalëve – shumë prej tyre i ka quajtur “parazitë” – dhe ka premtuar se do të kërkojë shpagim nëse fiton mandatin e dytë, ndaj asaj që ai e ka quajtur përndjekje të motivuar politikisht. Teksa Trumpi ka dominuar debatet presidenciale, presidenti Joe Biden është ngritur me paralajmërimet, duke thënë se Trumpi “është i vendosur që ta shkatërrojë demokracinë amerikane”.

“Nën asnjë rrethanë, po i premtoni Amerikës sonte, se kurrë nuk do të abuzoni me pushtetin si shenjë hakmarrjeje ndaj ndokujt?”, e ka pyetur Hannity Trumpin në intervistën e realizuar në Iowa.

“Përjashtuar një ditë”, është përgjigjur Trumpi. “Dua t’i mbyll kufijtë dhe do të filloja punën”, ka shtuar ai.

Trumpi pastaj ka përsëritur qëndrimin e tij. “E dua këtë djalë”, ka thënë ai për moderatorin e Fox News. “Ai po thotë: ‘Nuk do të jesh diktator apo jo?’ Unë i thashë: ‘jo, jo, hiç më shumë se një ditë. Do të mbyllja kufijtë dhe do të nisnim punën. Pas kësaj, nuk do të jem diktator”.

Në fillim të intervistës, Hannity e ka pyetur Trumpin nëse në çfarëdo mënyre e ka në plan që të abuzojë me pushtetin nëse kthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe nëse do të shkelte ligjin për të përdorur qeverinë ndaj dikujt. “Doni të thoni sikur këta [demokratët] që po bëjnë tani?”, është përgjigjur Trumpi.

Retorika e Trumpit nëpër fushatë dhe planet e shpejta për shkarkimin e zyrtarëve federalë dhe përndjekja e rivalëve kanë alarmuar demokratët dhe janë shndërruar në argumentet kryesore për Bidenin teksa po përgatitet për një përsëritje të duelit me Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

“Donald Trumpi na ka treguar fiks atë që do të bëjë nëse zgjidhet [president] dhe sonte tha se një ditë do të bëhet diktator. Amerikanët duhet t’i besojnë atij”, ka thënë menaxherja e fushatës së Joe Bidenit, Julie Chavez Rodriguez.

Në tubimet për të mbledhur fonde për fushatën, Bideni përsëri ka tërhequr vërejtjen ndaj Trumpit dhe aleatëve të tij. Ai ka thënë se ata e kanë në plan të shkatërrojnë institucionet demokratike.

Ndërkohë, Trumpi ka bërë përpjekje të kryesojë garën ndaj Bidenit duke argumentuar se presidenti është “shkatërruesi i vërtetë i demokracisë amerikane”. Trumpi ka përsëritur qëndrimet e tij se katër akuzat kundër tij tregojnë se Bideni e ka keqpërdorur sistemin e drejtësisë federale për ta dëmtuar rivalin republikan.

Trumpi ka premtuar se do ta persekutojë Bidenin në rast se fiton zgjedhjet në vitin 2024.