1 perditesime
22:37

Policia: I dyshuari dhe disa të tjerë, të vdekur nga të shtënat në kampusin në Las Vegas

Policia në Las Vegas ka njoftuar se i dyshuari për të shtënat në kampusin universitar të Nevadës në Las Vegas është gjetur i vdekur. Sipas tyre, nga ky rast kanë vdekur edhe disa persona të tjerë, numri i të cilëve ende nuk dihet.

Një ndalesë tokësore është lëshuar edhe në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid të Las Vegasit, ku autoritetet kanë përmendur arsye sigurie.

Aeroporti është afër vendit të të shtënave të raportuara.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se po monitorohet situata.

22:04

Dyshohet për të shtëna brenda kampusit universitar në Las Vegas

Policia në Las Vegas po i përgjigjet një alarmi për të shtëna në Universitetin e Nevadës në Las Vegas, raportoi të mërkurën BBC-ja.

Në një postim të universitetit në platformën X, thuhet se ata po i përgjigjeshin raporteve për të shtëna në kampus.

Ende nuk dihet nëse ka viktima nga gjuajtjet me armë.

“Duket se ka viktima të shumta”, ka thënë shkurtimisht policia në Las Vegas, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ata u kanë kërkuar njerëzve që të shmangin zonën.