Më herët këtë vit, Kim bëri një ikje thuajse të pamundur nga Koreja e Veriut. Ai iku nëpërmjet detit së bashku me gjithë familjen – përfshirë bashkëshorten shtatzënë, nënën e tij, familjen e vëllait dhe, po ashtu, një urnë ku mbante hirin e babait
Ata ishin personat e parë që ikën nga Koreja e Veriut këtë vit dhe arritën në Kore të Jugut. Kur Covidi goditi, Qeveria e Koresë së Veriut bëri panik dhe izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës, duke mbyllur kufijtë dhe duke e ndaluar tregtinë.
Ikjet, dikur shumë të zakonshme, thuajse ndaluan tërësisht.
Kim i tregoi BBC-së se si ideoi një ikje kaq të jashtëzakonshme. Ai zbuloi detaje të reja për jetën në Kore të Veriut, përfshirë edhe rastet ku njerëzit vdesin nga uria dhe po ashtu represionin në rritje.
Ai kërkoi të mos i përmendej emri i plotë, për të ndihmuar që të mbrohet familja e tij në Kore të Jugut, por edhe pjesa e familjes që ka mbetur në Kore të Veriut.
BBC-ja nuk ka mundur të verifikojë gjithë dëshminë e veri-koreanit Kim, por shumica e asaj që tha ai ishte përputhje me storiet që u thanë nga burime tjera.

Nata e ikjes
Nata e ikjes ishte mjaft e vështirë. Kishte erëra të forta nga jugu. Por kjo ishte pjesë e planit të Kimit. Deti i trazuar do të detyronte çdo anije vëzhgimi të tërhiqej, shpresonte ai.
Ai kishte ëndërruar shumë vjet për këtë natë, duke e planifikuar me muaj, por prapë kjo nuk është se ia hoqi frikën.
Fëmijët e vëllait të tij i kishte futur në gjumë duke u dhënë hapa gjumi. Ai dhe vëllai i tij duhej t’i bartnin ata në errësirë nëpër një fushë të minuar, për të shkuar deri te varka.
Ata kalonin me shumë kujdes, ndërsa rojat po kërkonin.
Me të arritur në varkë, ata fshehën fëmijët në thasë të vjetër, i maskuan të duken sikur janë thasë me vegla. Kështu familja u nis për në Kore të Jugut. Burrat ishin të armatosur me shpata, e gratë me helmeta. Ata ishin të përgatitur në rast se do të konfrontoheshin nga garda detare e Koresë së Veriut.
Ndonëse motori ishte ndezur, e gjitha që Kim po dëgjonte ishin të rrahurat e tij të zemrës. Një gabim dhe ata do të ekzekutoheshin.

Kujtimet e hidhura
Kur u takova me Kim-in në periferi të Seulit muajin e kaluar, ai ishte nën përcjellje të zyrtarëve policorë, një masë tipike e sigurisë për personat që ikin nga Koreja e Veriut.
Kishin kaluar vetëm pak javë që kur ai dhe familja e tij ishin lëshuar nga qendra në të cilën dërgohen verikoreanët pasi arrijnë në Kore të Jugut.
“Ka pasur shumë vuajtje”, thotë Kim, ndërsa rikujton katër vjetët e fundit.
Në ditët e hershme të COVID-19, Kim tregon se njerëzit ishin shumë të frikësuar.
Në transmetuesin shtetëror ishin shfaqur foto të njerëzve duke vdekur nëpër botë dhe ishin paralajmëruar se nëse nuk zbatohen rregullat, atëherë mund të shfaroset gjithë vendi.
“Disa madje u dërguan edhe në kampe pune, pasi nuk respektuan rregullat anti-COVID”, ka thënë ai.
Kur raportohej një rast i dyshuar, atëherë forcat verikoreane izolonin një fshat të tërë, siç tregon Kim. Të gjithë mbylleshin dhe zona izolohej. Brenda ata kishin shumë pak apo nuk kishin fare për të ngrënë.
“Pasi vuanin njerëzit nga uria, Qeveria më pas sillte kamionë me furnizime ushqimore. Thoshin se po shesin ushqime shumë lirë, kështu që njerëzit i përgëzonin – sikur kur lë një fëmijë të vogël të uritur, dhe kur i jep pak ushqim më pas ai të falënderon”, ka thënë Kim.
Kim tha se njerëzit filluan të shtronin pyetje nëse kjo është pjesë e strategjisë së shtetit për të përfituar nga pandemia.
Pasi më tepër njerëz po vuanin nga Covidi, ata nisën të mendonin nëse shteti ka ekzagjeruar rreziqet, thotë Kim.
“Shumë nisën të dyshonin se ishte thjesht arsyetim për të na shtypur”, ka thënë Kim.
Ishte mbyllja e kufijve që shkaktoi dëmet më të rënda, thotë Kim.
Furnizimi me ushqim në Kore të Veriut prej shumë kohësh është i pasigurt, por pas ndalimit të hyrjeve nga jashtë, çmimet u rritën tejmase, thotë Kim.
“Jeta u bë shumë e vështirë”, tregon ai.
Në pranverën e vitit 2022, ai kishte vënë re se situata po përkeqësohej.
“Për shtatë apo tetë vjetëve nuk kishte shumë fjalë për vuajtje nga uria, por nise të dëgjoje vazhdimisht raste të tilla. Zgjoheshe mëngjes dhe dëgjohej: ‘dikush ka vdekur nga uria në këtë zonë’. Në mëngjesin tjetër, kishte raportim për rast tjetër”, thotë Kim.
Në shkurt të këtij viti, Kim thotë se një konsumator nga një shtet fqinj erdhi me vonesë në një takim. Ai i kishte thënë se policia kishte rrethuar të gjithë në fshatin e tij nën dyshimin për vrasjen e një çifti të moshuar. Por, pas autopsisë, u konfirmua se çifti vdiq nga uria, dhe brejtësit ua kishin ngrënë gishtat e duarve e të këmbëve derisa ata po vdisnin.
Këto pamje të rënda kishin bërë hetuesit të dyshonin se bëhej fjalë për vrasje.
Në prill, ai thotë se dy fermerë që i njihet personalisht po ashtu vdiqën nga uria. Ai thotë se fermerët kaluan më së vështirësi, pasi nëse të korrat ishin keq, atëherë shteti detyronte ata që të dorëzonin më tepër nga furnizimet e tyre personale.
Verifikimi i këtyre rasteve të vdekjeve nuk ka qenë i mundur. Në Raportin Global të vitit 2023 për Krizën e Ushqimeve, u tha se që nga mbyllja e kufijve nga Koreja e Veriut, ka qenë “sfiduese të merren informata të sakta për pasigurinë e ushqimit”, por ka “indikacione se situata po keqësohet”.
Në mars të vitit 2023, Koreja e Veriut i kërkoi ndihmë Programit Botëror për Ushqim.
Specialisti për Kore të Veriut në Amnesty International, Choi Jae-hoon, ka thënë se ka dëgjuar për raste të vdekjeve nga uria, nga personat që kanë ikur për në Kore të Jugut e të cilët kanë rënë në kontakt me familjarët në Veri.
“Ne po dëgjojmë se situata atje u keqësua gjatë Covidit, dhe në disa zona fermerët vuajtën më së tepërmi”, ka thënë ai.
Por, Choi thotë se situata nuk është kaq katastrofale siç ishte në vitet 90-ta.
“Ne po dëgjojmë se njerëzit kanë gjetur mënyra për të mbijetuar”, thotë ai.
Kim vetë kishte gjetur mënyra jo vetëm për të mbijetuar, por edhe lulëzuar.
Si shumica e njerëzve në Kore të Veriut para Covidit, ai bëri para duke shitur gjëra në tregun e zi – si motoçikleta dhe televizorë, që kontrabandoheshin nga Kina. Por, kur u mbyll kufiri, e ndaloi gjithë tregtia, ai vendosi të merrem me blerje e shitje të perimeve. Ai e dinte se të gjithë kanë nevojë të hanë.
Ai shkonte dërgonte ushqime nëpër shtëpi.
“Nëse dikush na raportonte, ne kapnim ushqimin dhe iknim. Njerëzit vinin dhe na luteshin t’u shisnim ushqime. Mund t’u kërkoja çfarëdo çmimi që doja”, thotë Kim.
Kim u pasurua më tepër se kurrë më parë.
Ai dhe bashkëshortja e tij mund të hanin çfarëdo lloji të mishit që donin.
“Kjo llogaritet jetesë shumë e mirë në Kore të Veriut”, thotë Kim.
Jeta e Kim-it si biznesmen në Kore të Veriut
Jeta që përshkruan Kim paraqet një biznesmen jashtëzakonisht të zgjuar e nganjëherë të paskrupullt.
Tani në të 30-tat, ai nxitoi dhe kurseu për më shumë se një dekadë, duke gjetur mënyrë për ta mposhtur sistemin e Koresë së Veriut.
Kjo ishte pasi ai ishte zhgënjyer me sistemin qysh në moshë të re. Që herët ai dhe babai i tij uleshin duke shikuar fshehurazi kanale televizive të Koresë së Jugut. Ata jetonin aq afër kufirit sa mund të kapnin kanalet jugkorane. Kim ishte mahnitur nga një vend ku njerëzit janë të lirë.
Ndërsa ai po rritej, korrupsioni dhe padrejtësia që i shihte në Kore të Veriut filluan ta godisnin. Ai kujton një rast ku forcat verikoreane ia kishin bastisur shtëpinë.
“Çdo gjë që keni i takon shtetit”, thanë ata. “A mendoni se ky oksigjen është i juaji? Epo, nuk është”.
Më pas, në vitin 2021, Kim tha se u formuan skuadra të fuqishme për t’u përpjekur për të shtypur atë që shteti e cilësonte si “sjellje anti-sociale”.
Ata do të ndalonin në mënyrë arbitrare njerëzit nëpër rrugë dhe do t’i frikësonin.
“Njerëzit po i cilësonin ata si mushkonja, si vampirë që të thithin gjakun”, thotë Kim.
Shkelja më e rëndë ishte konsumimi dhe shpërndarja e informatave nga jashtë, veçanërisht ato nga Koreja e Jugut.
“Nëse ju kapnin me këtë, atëherë ju rrihnin, vrisnin apo ju dërgonin në kampe pune”, thotë Kim.
Në prill të vitit të kaluar, Kim tha se u detyrua të shikonte një burrë 22-vjeçar të ekzekutohej në publik.
“Ai u vra pasi kishte dëgjuar 70 këngë jugkoreane dhe kishte shikuar tre fëmija dhe i kishte ndarë me shoqërinë”, tregon Kim.
Autoritetet u thanë publikut se duan të shohin se sa ashpër e ndëshkojnë një njeri për të krijuar precedentin e duhur.
“Ata janë të pamëshirshëm. Të gjithë janë të frikësuar”, thotë Kim.
BBC s’ka mundur ta verifikojë këtë ekzekutim, por në dhjetor të vitit 2020 Koreja e Veriut ka miratuar ligj, duke thënë se ata që shpërndajnë përmbajtjen e Koresë së Jugut mund të ekzekutoheshin.
Joanna Hosaniak nga Aleanca Qytetare për të Drejtat e Njeriut të Koresë së Veriut tha se rrëfimi i Kim për ekzekutimin ishte “plotësisht i paçuditshëm”.
Hosaniak ka intervistuar qindra persona që kanë ikur nga Koreja e Veriut gjatë dy dekadave të fundit.
“Koreja e Veriut gjithmonë ka përdorur ekzekutimet në publik si mjet për ta kontrolluar popullatën. Sa herë që zbaton ligje të reja, fut një valë ekzekutimesh”, thotë Hosaniak.
Derisa Kim kujton atë ngjarje, ai vërehet se është i shqetësuar. Ai thotë se ishte vetëvrasja e një miku të tij që përfundimisht e theu.
Ai kishte qenë i vendosur të ndahej nga një grua që nuk e donte më dhe të martohej me një tjetër. Por, atij zyrtarët i kishin thënë se mënyra e vetme për të bërë këtë është të kalojë kohë në kamp pune. Ai u zhyt në borxhe duke tentuar të gjejë një rrugë tjetër, por përfundimisht kreu vetëvrasje.
Kim kishte vizituar dhomën e gjumit të shokut të tij pasi ai kreu vetëvrasje. Ai pa tmerrin. E kuptoi se sa kishte vuajtur shoku i tij gjatë vetëvrasjes. Ai kishte gërryer muret derisa i dolën thonjtë.

Plani i detajuar
Ndonëse Kim kishte fantazuar me qindra herë ikjen, ai kurrë nuk kishte paramenduar ta linte familjen pas. Deri në vitin 2022, jeta e tij u bë shumë e dëshpëruar, dhe ai më në fund pati ndjenjën se mund t’i bindte ata që të bashkoheshin me të.
Ai vuri në shënjestër fillimisht vëllanë e tij. Ai dhe gruaja e tij drejtonin një biznes të paligjshëm me ushqime deti, por kohët e fundit Qeveria kishte goditur shitësit jozyrtarë. Pavarësisht se kishin një varkë, ata nuk peshkonin më. Pasi financat e tyre nuk ishin mirë, ata lehtësisht do të bindeshin.
Për shtatë muajt e ardhshëm, ata planifikuan me përpikëri ikjen.
Gjatë kohës së pandemisë, shumë nga rrugët që ishin krijuar për të ikur nëpërmjet kufirit me Kinën, u bllokuan. Por, vëllezërit jetonin në një qytet të vogël në jugperëndim të Koresë së Veriut, qytet i njohur për peshkim. Ata jetonin afër kufirit me Korenë e Jugut. Kjo u dha atyre një rrugëdalje alternative, por të rrezikshme – të bënin ikjen nëpërmjet detit.
Së pari, ata kishin nevojë për një leje për të hyrë në ujë. Ata kishin dëgjuar për një bazë ushtarake pranë, ku civilët dërgoheshin për të kapur peshq që më pas shitej për të paguar pajisjet ushtarake. Vëllai i Kim-it u regjistrua në atë skemë.
Ndërkohë Kim u miqësua me rojat bregdetare dhe rojat e sigurisë që patrullonin zonën, duke marrë në mënyrë të fshehtë informata për lëvizjet e tyre, protokollet, ndërrimet, derisa ishte i sigurt se ai dhe vëllai i tij mund të nxirrnin një varkë jashtë gjatë natës, pa u kapur.
Pastaj erdhi detyra më e vështirë: të bindte nënën e moshuar dhe gruan e tij t’i bashkoheshin. Të dyja ishin kundër largimit. Por, vëllezërit i bërtitën nënës së tyre, duke e kërcënuar se do të anulonin udhëtimin nëse ajo nuk i bashkohej dhe se do të jetë përgjegjësi e saj nëse përfundojnë në mjerim.
“Ajo ishte e shqetësuar dhe qau shumë, por më në fund ra dakord”, tha Kim.
Por bashkëshortja e tij nuk donte të lëvizte nga vendi, derisa një ditë kuptuan se po presin një fëmijë.
“Ti nuk je me vetëm”, i tha Kim. “Ti je prind, a dëshiron që fëmija yt të jetojë në këtë ferr?”
Kjo funksionoi dhe bashkëshortja e Kim-it u bind.
Ikja
Pasi folëm për disa orë, unë dhe Kim shkuan për darkë, ku ai tregoi për përgatitjet e fundit për arratisjen e tij.
Nga frika se autoritetet do të përdhosnin varrin e babait të tyre pasi të largoheshin, vëllezërit shkuan për të gërmuar trupin e tij. Pasi e morën trupin ata e çuan në shkretëtirën përreth dhe e dogjën.
Ata vazhduan të vëzhgonin fushën e largët të minuar që më vonë do të duhej ta kalonin nëpërmjet errësirës.
Ata pretenduan të merrnin bimë mjekuese, ndërsa hartonin rrugë të qartë përmes tyre. Vija bregdetare ishte minuar së fundi për të parandaluar njerëzit që të iknin.
Por Kim thotë se pasi atje kishte më pak roja, ofronte rrugë më të sigurtë për të dalë.
Pastaj ishte çështja për të pritur që moti të përkeqësohej e të kishte valë.
Në ora 22:00 të datës 6 maj, ata u nisën me lundrim, duke udhëtuar aq larg sa u lejuan, dhe më pas vazhduan. Ata lundruan e lundruan, gjatë gjithë kohës Kim thotë se zemra i rrihte fortë.
Sapo u ndien të sigurtë, ata shkuan me shpejtësi të plotë drejt rrymave detare.
Kim shikoi prapa një anije që po e ndiqte, por ajo s’mundi t’i kapte. Brenda pak minutash ata kishin kaluar kufirin detar.
“Në atë moment, i gjithë presioni im u largua. U ndjeva sikur do më binte të fikët”, tha ai.
Ata ndezën dritat e tyre ndërsa iu afruan ishullit jug-korean Yeonpyeong dhe u shpëtuan nga marina, pas gati dy orëve në det.
“Gjithçka kishte shkuar saktësisht siç e kishim planifikuar. Ishte sikur u ndihmuam nga lart”, thotë Kim.
Shkeljet e të drejtave të njeriut në Kore të Veriut
Arratisja e Kim-it ishte e jashtëzakonshme për disa arsye, thotë Sokeel Park nga organizata “Liria në Kore të Veriut”, që ndihmon refugjatët nga Koreja e Veriut të rivendosen në Kore të Jugut.
Jo vetëm që ikjet përmes detit kanë qenë shumë të rralla, shpjegoi ai, por që nga pandemia është bërë pothuajse e pamundur që njerëzit të ikin.
“Këto ikje nëpërmjet detit kërkojnë planifikim të përpiktë, përfshirë guxim të pabesueshëm dhe shpresë që çdo gjë të shkojë si duhet. Duhet të ketë pasur shumë verikoreanë tjerë që e kanë provuar këtë, por kanë dështuar”, thotë Park.
“Të vetmit njerëz që mund të largohen tash janë të pasurit dhe ata që kanë lidhje të mira”, thotë pastori Stephen Kim nga “JM Missionary”. Ai ndihmon verikoreanët të ikin nëpërmjet Kinës.
Rreth 1000 e kalonin kufirin kinez çdo vit, por sipas njohurive të tij vetëm 20 e kanë kaluar gjatë katër vjetëve të fundit dhe vetëm katër prej tyre kanë arritur në Kore të Jugut.
Në tetor, ai dhe Human Rights Watch akuzuan Kinën për dërgimin e disa dezertorëve në Kore të Veriut.
Pyongyangu aktualisht po thellon lidhjet me Kinën dhe Rusinë, ndërkohë që i kthen shpinën diplomacisë me Perëndimin.
Kjo e ka bërë shumë të vështirë për komunitetin ndërkombëtar që të adresojë këto çështje të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Qeveria e Koresë së Jugut i ka bërë të drejtat e njeriut të Koresë së Veriut si një nga prioritetet e saja, por zëvendësministri i saj për bashkim Moon Seong-hyun tha se kishte “mjete të limituara për t’i përdorur”.
“Ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë, ka qenë rritja e ndërgjegjësimit të njerëzve, duke i ngritur vazhdimisht këto çështje në OKB dhe vende tjera. Ka një tendencë që Koreja e Veriut t’i dëgjojë vendet në Evropë”, tha Moon, duke aluduar në Britaninë e madhe e Gjermaninë.
Por, roli i Seulit është reduktuar kryesisht te ndihma për numrin e pakët të refugjatëve që arrijnë në Jug, duke i mbështetur ata me këshillim, strehim dhe edukim.

Sfidat e adaptimit
Pas shpëtimit të tyre, Kim dhe familja e tij fillimisht duhej të kontrolloheshin nga shërbimet e inteligjencës së Koresë së Jugut, për t’u siguruar se ata nuk janë spiunë të Koresë së Veriut.
Më pas ata u edukuan për jetën në jug në një qendër ku u vendosën. Pavarësisht se fizikisht janë aq afër, shtëpitë e tyre të vjetra dhe të reja janë me botë larg, dhe personat që largohen shpesh luftojnë me transicionin.
Familja u zhvendos nga qendra dhe u vendos në një apartament në tetor, pikërisht kur lindi gruaja e Kim-it.
Ajo është e shëndetshme, por e ka të vështirë të përshtatet, thotë Kim. Megjithëse nëna e tij po kalon kohën më të vështirë. Asnjë prej tyre nuk kishte hipur ndonjëherë në metro dhe ajo po vazhdon të humbë.
“Ajo është disi e penduar që erdhi këtu tash”, thotë Kim.
Por, Kim, i cili tashmë është i njohur me kulturën e Koresë së Jugut, thotë se po përshtatet lehtësisht.
“Bota që imagjinova dhe bota në të cilën po lundroj tash fizikisht janë shumë të ngjashme”, thotë Kim.
Ndërsa po flisnin, ai mori me kureshtje kutinë time të AirPods nga tavolina, duke e kthyer në dorën e tij. E hapa për t’i treguar kufjet pa kabllo, por ai prapë dukej i hutuar.
Vetëm kur vendosa ato në veshë, një valë kuptimi pushtoi fytyrën e tij, dhe ai nisi të qeshte.
Do të ketë shumë surpriza tjera dhe sfida përpara. Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tij.