Ushtria izraelite ka rrethuar “Jabalian”, kampin më të madh të refugjatëve në Gaza me pretendimin se po përdoret si bazë e grupit militant të Hamasit.
Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar bombardimin e jugut të Rripit të Gazës, përfshirë edhe qytetin Khan Younis. Një pjesë e këtij qyteti është evakuuar.
Izraeli ka deklaruar se ka pasur pauzë taktike deri në orën 12:00 për të lejuar ndihmat në Gaza.
Mirëpo agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë deklaruar se në Gaza nuk ka asnjë zonë të sigurt, teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tërhequr vërejtjen se situata po përkeqësohet orë pas ore.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se 15 mijë e 800 palestinezë janë vrarë gjatë luftës me Izraelin, përfshirë 6 mijë fëmijë.
Të martën, shteti i Katarit ka njoftuar se është duke vazhduar punën për të arritur armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.
Katari ka shërbyer si ndërmjetësues me Hamasin dhe në ditët e fundit ka bërë përpjekje që të arrihet marrëveshja për fundin e luftës në Gaza.