Botë

Lirohen edhe 12 pengje tjera izraelite

Autoritetet e Izraelit kanë njoftuar se janë liruar edhe 12 pengje tjera nga Hamasi – dhjetë shtetas izraelitë dhe dy tajlandezë – dhe ata janë kthyer në territorin izraelit.

“Familjet e tyre janë informuar nga zyrtarët, se ata janë kthyer në Izrael”, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë, raporton BBC.

Janë publikuar emrat e dhjetë izraelitëve të liruar.

Pengjet fillimisht ishin transferuar për në Egjipt nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq.

Sot është dita e pestë e armëpushimit mes Izraelit e Hamasit.

Javën e kaluar ishte arritur marrëveshje për armëpushim katërditor mes Izraelit e Hamasit. Në bazë të marrëveshjes për pengje, ishte paraparë lirimi i 50 pengjeve nga Hamasi në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Katarit.

Të hënën u vendos të shtyhej edhe për dy ditë tjera marrëveshja e armëpushimit dhe të vazhdohet shkëmbimi.

Pengjet ishin mbajtur nga Hamasi në Gaza që nga 7 tetori, kur militantët e Hamasit sulmuan brenda territorit izraelitë. Shkaktuan vdekjen e 1200 personave dhe morën peng rreth 240 persona.

Në kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza duke shkaktuar mbi 14500 viktima.