Botë

Putin akuzon Perëndimin se po synon “ta shpërbëjë e plaçkitë” Rusinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një fjalim të mbajtur përpara fushatës zgjedhore, e ka cilësuar pushtimin rus të Ukrainës si një betejë ekzistenciale kundër “përpjekjeve të Perëndimit për ta shkatërruar Rusinë”, raporton agjencia “AP”.

Putini, që është në pushtet për më tepër se dy dekada dhe është lideri rus më jetëgjatë që nga diktatori sovjetik Josef Stalin, pritet ta deklarojë së shpejti synimin për të kërkuar një mandat tjetër gjashtëvjeçar në zgjedhjet presidenciale në Rusi që mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

“Ne po e mbrojmë sigurinë dhe mirëqenien e popullit tonë, të drejtën më të lartë historike për të qenë Rusi – një fuqi e fortë, e pavarur dhe një vend i civilizuar”, ka thënë Putin, ndërsa ka akuzuar SHBA-në dhe aleatët se po “përpiqen ta shpërbëjnë dhe plaçkitin Rusinë”. “Ne po luftojmë për lirinë jo vetëm të Rusisë, por të gjithë botës”.

Putin foli për pjesëmarrësit në një takim të organizuar nga Kisha Ortodokse Ruse.

Ai akuzoi për “rusofobi perëndimore”.

Putin ka thënë se rendi botëror i dominuar nga SHBA-ja “po bëhet gjithnjë e më i rrënuar”.

“Është vendi ynë ai që është në ballë të krijimit të një rendi botëror më të barabartë. Dua të theksoj: pa një Rusi sovrane e të fuqishme, asnjë rend botëror i qëndrueshëm nuk është i mundur”, tha Putin.