Në çdo zonë lufte, numërimi i të vdekurve është një sfidë. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë thonë se shifrat e vdekjeve regjistrohen nga profesionistët mjekësorë përpara se t’u kalohen atyre. Shifrat nuk bëjnë dallim midis vdekjeve ushtarake dhe civile. Dhe, ata që kanë vdekur në skenën e shpërthimeve, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ose janë varrosur menjëherë, do të numërohen më vonë
(BBC) - Derisa betejat në Gazë intensifikohen, situata kaotike - me bombardimet nga forcat izraelite, luftimet në terren, ndërprerjet e komunikimit, mungesat e karburantit dhe infrastruktura e shkatërruar - e bën marrjen e informacionit të saktë për numrin e njerëzve që kanë vdekur jashtëzakonisht të vështirë.
E zyrtarët palestinezë kanë thënë se tani janë paraqitur “vështirësi të konsiderueshme” në marrjen e informacionit të përditësuar për shkak të ndërprerjes së komunikimeve në Rripin e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë është burimi zyrtar i Gazës për numrat e vdekjeve - të cilat i përditëson rregullisht. Të dielën në mbrëmje u raportua se 11.240 njerëz janë vrarë, duke përfshirë 4.630 fëmijë, që nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor, që edhe e shkaktoi luftën aktuale.
Shifrat janë vënë në dyshim publikisht nga Izraeli, megjithëse kohët e fundit Izraelit i është dashur t’i rishikojë shifrat e veta të vdekjeve, duke e ulur numrin me rreth 200 - nga 1.400 në rreth 1.200 të vrarë.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se ai “nuk ka besim” në statistikat e Gazës. Por organizatat ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e OKB-ja, kanë thënë se nuk kanë arsye të mos u besojnë.
Shifrat
Ministria e Shëndetësisë në Gazë raporton rregullisht vdekjet në mediat sociale, me një ndarje shtesë të numrit të grave, fëmijëve dhe të moshuarve të vrarë. Shifrat nuk japin shkakun e vdekjes, por i përshkruajnë të vdekurit si viktima të “agresionit izraelit”.
Ministria jep edhe shifra për të lënduarit dhe të zhdukurit. Disa prej trupave mbeten ende të ngujuar nën rrënoja, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se shifrat e vdekjeve regjistrohen nga profesionistët mjekësorë përpara se t’u kalohen atyre dhe shifrat përfshijnë vetëm personat e regjistruar të vdekur në spital. Shifrat nuk bëjnë dallim midis vdekjeve ushtarake dhe civile. Dhe, ata që kanë vdekur në skenën e shpërthimeve, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ose janë varrosur menjëherë do të numërohen më vonë, kanë bërë të ditur zyrtarët e Gazës.
Kjo u përforcua edhe më shumë nga administrata Biden javën e kaluar, kur një zyrtar i lartë amerikan tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të jetë më i madh sesa numrat e raportuar.
“Ne mendojmë se shifrat janë shumë të larta, sinqerisht”, i tha Barbara Leaf, ndihmëssekretare e shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt.
Kjo deklaratë qëndron në kontrast të plotë me pikëpamjen e vetë presidentit Biden, i cili, më 25 tetor, ka thënë se “nuk beson se palestinezët po thonë të vërtetën se sa njerëz janë vrarë”.
Megjithatë, ai nuk ka ofruar asnjë provë për skepticizmin e tij.
Një ditë pas mohimit të shifrave nga Bideni, Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka ofruar më shumë informacion, duke publikuar një listë të gjerë të emrave të të gjithë atyre që janë vrarë midis 7 dhe 26 tetorit. Lista përfshin më shumë se 6 mijë emra të plotë me moshën, gjininë dhe numrat e tyre të identitetit.
Besimi në shifra
Punonjësit e kujdesit shëndetësor si Dr. Ghassan Abu-Sittah, një kirurg plastik i Médecins Sans Frontières me qendër në Londër, i cili ka trajtuar njerëzit në spitalet në qytetin e Gazës, janë çelësi për regjistrimin e këtyre shifrave.
Ai thotë se morgu i spitalit regjistron vdekjet pas konfirmimit të identitetit të të vdekurve nga të afërmit e tyre.
Numri i vdekjeve të regjistruara deri më tani, beson ai, është shumë më i vogël se ato që kanë ndodhur realisht. “Shumica e vdekjeve ndodhin në shtëpi”, thotë ai. “Ata që nuk kemi mundur t’i identifikojmë, nuk i kemi regjistruar”.
Megjithatë, pasi të gjendet një trup, “ai duhet të dërgohet në spital për t’u regjistruar”, ka bërë të ditur një zëdhënës i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Për të ekzaminuar listën e Ministrisë së Shëndetësisë, BBC-ja ka ndërlidhur emrat e përfshirë në të me emrat e të vdekurve që ishin shfaqur në raportimin e saj. Një nga ato vdekje që raportoi BBC-ja ishte Dr. Midhat Mahmoud Saidam, i cili u vra në një sulm më 14 tetor. BBC-ja foli me ish-kolegët e tij.
Analiza e imazheve satelitore të kryera nga BBC-ja shfaqte dëmtime në zonën ku ai jetonte rreth datës së vdekjes së tij. Në një imazh të postuar në rrjetet sociale shfaqej një çantë trupi me emrin e tij dhe detajet e shkruara në të.
Punë e ngjashme, por në një shkallë më të lartë, po bëhet nga Airwars, një grup i pavarur kërkimor. Si pjesë e punës për hetimin e vdekjeve të civilëve, Airwars ka përputhur emrat e të vdekurve në listën e Ministrisë së Shëndetësisë me zonat që janë bombarduar. Deri më tani, Airwars ka gjetur 72 emra në listën e ministrisë në pesë nga zonat që ka hetuar, përfshirë atë të Dr. Saidham.
Hetimi i Airwars ka zbuluar gjithashtu se 23 nga anëtarët e familjes së Dr. Saidham kanë vdekur dhe të gjithë ishin regjistruar në listën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Shqyrtimi i statistikave
BBC-ja ka kontaktuar gjithashtu me OKB-në dhe Human Rights Watch – që të dyja kanë thënë se nuk kanë arsye të mos u besonin shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
OKB-ja mbështetet në Ministrinë e Shëndetësisë si një burim për shifrat e viktimave në zonë.
“Ne vazhdojmë t’i përfshijmë të dhënat e tyre në raportimin tonë dhe ato janë qartë me burim”, thuhet në një deklaratë. “Për momentin është pothuajse e pamundur të sigurohet ndonjë verifikim i OKB-së në baza ditore”.
Të tjerë që kanë shqyrtuar shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë përfshijnë profesorin e ekonomisë Michael Spagat, nga “Royal Hollway”, Universitet i Londrës - i cili drejton shoqatën “Every Casualty Counts” dhe e cila studion numrin e vdekjeve në luftëra.
Ka thënë se ai dhe një koleg i tij gjetën vetëm një emër të përmendur dy herë në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë - atë të një djali 14-vjeçar.
Megjithatë, edhe një mospërputhje mbetet e diskutueshme - ajo e numrit të të vdekurve pas shpërthimit në spitalin al-Ahli në qytetin e Gazës më 17 tetor. Ministria e Shëndetësisë raportoi fillimisht për 500 njerëz të vrarë dhe pas rishikimit të mëvonshëm kjo shifër u ul në 471. Ushtria izraelite citoi shifrat e al-Ahlit si bazë për pretendimin se Ministria e Shëndetësisë së Gazës “shton vazhdimisht numrin e viktimave civile”.
BBC-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza, por nuk ka qenë në gjendje të marrë një përgjigje deri më tani.
Profesori Spagat ka studiuar edhe konfliktet e mëparshme dhe ka zbuluar se shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza janë vëzhguar edhe në të kaluarën.
Nga analiza e shifrave të vdekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë nga konflikti Izrael-Gaza i vitit 2014, dhe të atyre të mbledhura nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem”, Spagat gjeti qëndrueshmëri të përgjithshme.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 2.310 persona ishin vrarë në vitin 2014, ndërsa “B’Tselem” numëronte 2.185 vdekje. Sipas OKB-së, 2.251 palestinezë ishin vrarë, duke përfshirë 1.462 civilë, ndërsa Ministria e Jashtme e Izraelit raportoi se në luftën e vitit 2014 ishin vrarë 2.125 palestinezë.
Mospërputhjet si këto janë “mjaft normale”, sipas prof. Spagat.
Ola Awad-Shakhshir, presidente e Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave, në Ramallah, qytet në Bregun e pushtuar Perëndimor, pranon përditësime të rregullta të vdekjeve nga Gaza.
Awad-Shakhshir ka thënë se Ministria e Brendshme e Izraelit kontrollon në mënyrë efektive numrat e identitetit për foshnjat e porsalindura në Gaza dhe Bregun Perëndimor - të njëjtit numra identifikues që shfaqen në regjistrin e vdekjeve të regjistruara nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Zyra izraelite e Regjistrimit të Popullsisë mban dosje që përputhen me ato në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Kur BBC-ja pyeti një zëdhënës të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit se pse ata kanë hedhur dyshime mbi shifrat e vdekjeve në Gaza, ai tha se Ministria e Shëndetësisë ishte një degë e Hamasit dhe se çdo informacion i dhënë nga ajo duhet “të shikohet me kujdes”. Por ai nuk ofroi asnjë provë për mospërputhje në të dhënat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.
BBC-ja ka pyetur gjithashtu kryeministrin izraelit se si u regjistruan numrat e izraelitëve të vrarë më 7 tetor nga Hamasi. Kryeministri izraelit nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje, megjithatë ditët e fundit Izraeli ka reduktuar numrin e njerëzve të vrarë gjatë sulmit në rreth 1.200, nga shifra e mëparshme prej 1.400.
Qeveria izraelite nuk ka publikuar asnjë listë të detajuar të viktimave civile, megjithëse disa media izraelite kanë mbledhur të tilla me emra e mosha të viktimave.
Policia izraelite ka njoftuar se më shumë se 850 trupa civilësh janë identifikuar - puna po vazhdon për të identifikuar mbetjet, duke përdorur teknika të specializuara mjeko-ligjore.
Ekziston një listë publike e ushtarëve izraelitë të vrarë deri më tani, që përfshin 48 që kanë vdekur në luftimet brenda Gazës.
Përktheu: Forca Jashari