Botë

Kryeministrja italiane,Giorgia Meloni, ndahet nga partneri

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është ndarë nga partneri i saj, Andrea Giambruno, gazetar i cili pati bërë disa komente seksiste.

“Lidhja ime me Andrea Giambruno, që ka zgjatur gati 10 vjet, përfundon këtu”, ka shkruar ajo.

Çifti ka një vajzë 7 vjeçe. “E falënderoj për vitet që kaluam bashkë, për vështirësitë që kaluam dhe që më dha gjënë më të rëndësishme në jetë, vajzën tonë Ginevra”.

Giambruno në një transmetim televiziv është shfaqur duke i thënë koleges së tij grua: “Pse nuk të kam takuar më parë”, dhe në një shfaqje tjetër ai bën komente të pahijshme duke nënkuptuar marrëdhënie seksuale me pjesëmarrësit në emision, shkroi Guardian. 

Në shtator, Meloni e mbrojti Giambrunon kur ai tha se gratë duhet “ta shmangin dehjen” nëse duan ta shmangin përdhunimin. Meloni pati thënë se fjalët e tij ishin keqkuptuar.