Botë

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në betejë me partinë

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy është duke luftuar për karrierën e tij politike pasi republikani i krahut të djathtë përdori mocionin për shkarkimin e tij.

McCarthy ka thënë se është i gatshëm për procesin që pritet të zhvillohet gjatë javëve të ardhshme.

Marrëdhëniet mes McCarthyt dhe kolegut të tij republikan, Matt Gaetz (Gets), janë përkeqësuar kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve miratoi ligjin me ndihmën e demokratëve për financimin e agjencive qeveritare.

Asnjë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nuk është shkarkuar duke u përdorur mocioni i njohur për lirimin e pozitës.

Republikani rebel tani ka dy ditë kohë për ta hedhur në votim mocionin.

Do të duhen shumica e thjeshtë për largimin e kryetarit ose 218 vota.

Republikanë kontrollojnë Dhomën, mirëpo vetëm disa republikanë me qëndrime më ekstreme janë shprehur të gatshëm të votojnë për largimin e McCarthyt.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është i dyti në linjë për postin e presidentit pas zëvendëspresidentit.

Marrëveshja e arritur të shtunën ka shmangur mbylljen e qeverisë, por në buxhet nuk janë përfshirë 6 miliardë dollarë fonde për Ukrainën, për shkak se republikani Gaetz dhe ultrakonservatorët e tjerë kanë insistuar se SHBA-ja e ka tepruar me shpenzime për luftën e Ukrainës me Rusinë.

Gaetz që prej muajit janar ka kërcënuar me shkarkimin e McCarthyt kur i priu kryengritësve të partisë që kundërshtuan përpjekjet e tij për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Me qëllim që ta merrte postin e kryetarit, McCarthy ishte pajtuar për ndryshimin e rregullores që ia mundëson secilit kongresist të nisë mocionin për shkarkimin e tij.