Tetë anëtarë të një grupi kriminal të trafikut të organeve në verilindje të Pakistanit, janë arrestuar, është njoftuar nga Policia të hënën, raporton BBC.
Lideri i grupit, Fawad Mukhatar, akuzohet se u ka nxjerrë veshkat më tepër se 300 personave dhe u ka transplantuar ato klientëve të pasur.
Ai më herët ishte arrestuar pesë herë për shkelje, por kishte arritur në secilin rast të shpëtonte me dorëzani.
Së paku tre persona kanë vdekur pasi organet e tyre janë nxjerrë në këtë mënyrë, thonë autoritetet.
Banda besohet se ka kryer operacionet në provincën lindore Punjab, si dhe në Kashmir.
Transplantimet janë kryer në shtëpi private, shpesh pa dijeninë e pacientit, ka thënë kreu i provincës së Punjabit, Mohsin Naqvi.
Një mekanik i veturave besohet se ka punuar për Mukhatarin si ndihmës gjatë operacioneve dhe po ashtu ka ndihmuar të joshë nëpër spitale pacientët e cenueshëm.
Veshkat janë shitur për 120 mijë dollarë.
“Ka shumë transplante e operime të tilla ilegale. Ne i kemi vetëm disa të konfirmuara”, ka thënë Naqvi gjatë konferencës për media.
Tregtia e organeve është bërë ilegale në Pakistan që nga viti 2010.
Dënimi përfshin dhjetë vjet burgim dhe gjobë të madhe.
Mirëpo, ka pasur rritje të trafikimit të organeve në këtë vend.
Në janar, policia e Punjabit zbuloi një grup tjetër të trafikimit të organeve pasi një djalë 14-vjeçar i raportuar i zhdukur, u gjet në një laborator nëntokësor, ndërsa atij i ishte hequr veshka.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.