Katalin Karikó dhe Drew Weissman janë laureatët e çmimit “Nobel” për mjekësi këtë vit. Të dy shkencëtarët bashkëpunuan në zhvillimin e teknologjisë që çoi në zbulimin e vaksinës kundër COVID-19
Dy shkencëtarë që zhvilluan teknologjinë që çoi në zbulimin e vaksinës kundër COVID-19 kanë fituar çmimin “Nobel” për mjekësi, këtë vit.
Çmimi iu nda Katalin Karikó-s, profesoreshë në Universitetit e Saganit në Hungari, dhe Drew Weissman, i cili bashkëpunoi me Karikón në Universitetin e Pensilvanisë.
Paneli që ndau çmimin e vlerësoi punën e dy shkencëtarëve si “gjetje novatore” dhe tejet me ndikim.
“Çmimi ‘Nobel’ i këtij viti vlerëson zbulimin që ndryshoi rrënjësisht të kuptuarit tonë mbi ndërveprimin e teknologjisë së vaksinave mRNA me sistemin imunitar dhe pati një ndikim të madh në shoqëri gjatë pandemisë së fundit”, ka thënë anëtari i Asamblesë “Nobel”, profesor Rickard Sandberg.
Para pandemisë teknologjia e vaksinave mRNA ishte eksperimentale, por tashmë u është dhënë miliona njerëzve në mbarë botën.
E njëjta teknologji tani po hulumtohet edhe për sëmundje të tjera, e madje edhe për kancer.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.
Çmimi “Nobel” për fushën e fizikës, kimisë, letërsisë, paqes dhe ekonomisë do të shpallet ditëve në vijim.
Laureatët do të marrin çmimet e tyre në ceremoninë e 10 dhjetorit, që është edhe përvjetori i krijuesit të çmimit, shpikësit suedez, Alfred Nobel, i cili vdiq në vitin 1896.
Çmimet mbartin një shumë parash, që sivjet kap vlerën e 1 milion dollarëve. (Përgatiti Forca Jashari)