(AP) - Azerbajxhani ka konfirmuar arrestimin e ish-kryetarit të qeverisë separatiste në Nagorno-Karabakh, i cili po ikte në drejtim të Armenisë së bashku me mijëra të tjerë që po braktisin enklavën pas aksionit të shpejtë me të cilin Azerbajxhani mori kontrollin e territorit të kontestuar.
Arrestimi i Ruben Vardanyan është konfirmuar nga shërbimi i rojave kufitare të Azerbajxhanit. Arrestimi i tij është reflektim i qëllimeve të Azerbajxhanit që me shpejtësi dhe forcë të zgjerojë pushtetin në rajon pas ofensivës ushtarake që nxiti eksodin e mijëra armenëve etnikë.
Vardanyan, biznesmen miliarder, i cili bëri pasuri në Rusi duke qenë pronar i një banke investuese, u shpërngul në Nagorno-Karabakh në vitin 2022 dhe shërbeu si kryetar i qeverisë rajonale për disa muaj para se të jepte dorëheqje në fillim të vitit 2023.
Shërbimi i rojave kufitare të Azerbajxhanit ka njoftuar se Vardayan është shoqëruar deri në kryeqytetin Baku dhe i është dorëzuar shërbimeve relevante që do të vendosin për fatin e tij.
Të mërkurën, Ministria e Shëndetësisë në Azerbajxhan ka njoftuar se 192 ushtarë azerbajxhanas janë vrarë dhe 511 të tjerë janë plagosur gjatë ofensivës në Nagorno-Karabakh. Gjatë këtij sulmi është vrarë edhe një civil.
Zyrtarët në Nagorno-Karabakh në fillim të javës kanë njoftuar se së paku 200 pjesëtarë të forcave armene janë vrarë dhe 400 të tjerë janë plagosur gjatë luftimeve.
Aksioni blic i Azerbajxhanit përfshiu artilerinë e rëndë, lansues raketash dhe dronë. Ky armatim i rëndë detyroi autoritetet separatiste që t’i dorëzonin armët dhe të uleshin në bisedime për “riintegrimin” e Nagorno-Karabakhut në territorin e Azerbajxhanit.
Që prej fundit të luftimeve Azerbajxhani dhe separatistët kanë mbajtur dy runde të bisedimeve, por nuk janë ofruar detaje për riintegrimin e popullsisë armene në shtetin me shumicë myslimane.
Ani pse Azerbajxhani ka premtuar se do të respektojë të drejtat e banorëve të rajonit, shumica prej armenëve janë ngutur të iknin drejt Armenisë nga frika për sulme të reja.
Më shumë se 47 mijë persona, gati 40 për qind e popullsisë prej 120 mijë banorëve të Nagorno-Karabakhut kanë ikur në drejtim të Armenisë deri të mërkurën, kanë njoftuar autoritetet armene.
Qyteti Stepanakert dukej i zbrazët të mërkurën teksa banorët e mbetur që nuk kanë automjete për t’u larguar janë tubuar në qendër të qytetit në pritje të autobusëve.
Kolona të gjata janë raportuar në kufi me Armeninë pasi janë përhapur thashethemet se Azerbajxhani mund të mbyllë rrugën e vetme drejt shtetit armen.
Ndërkaq të hënën nga një shpërthim në pikën e karburanteve në Stepenakert kanë mbetur të vdekur së paku 68 persona. Më shumë se 290 të tjerë janë plagosur ndërkaq, 105 rezultojnë ende të zhdukur.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.