Botë

Sekretet e grusht shtetit në Niger

Largimi i Francës nuk do të thotë domosdo fundi i bashkëpunimit të Nigerit me fuqitë perëndimore. Në Niger ka ende trupa të huaja, përfshirë ato nga SHBA-ja. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u ka thënë gazetarëve në Kenia se vendi i tij nuk kishte bërë ende ndonjë ndryshim të rëndësishëm në forcat e tij ushtarake në Niger

(BBC) - Vendi i Nigerit në Afrikën Perëndimore është një ndër vendet më vdekjeprurëse në botë për sulmet nga xhihadistët. Pas një grusht shteti ushtarak në muajin korrik, ekziston frika se një vendim për të urdhëruar largimin e 1500 trupave franceze në vend mund të inkurajojë më tej kryengritësit.

Gazetari i Mayeni Jones i BBC-së ka fituar qasje të rrallë në Niger dhe foli me regjimin, mbështetësit e tij dhe ata që e kundërshtonin.

Adama Zourkaleini Maiga flet butësisht, mirëpo sytë e saj pasqyrojnë vendosmëri të fortë. Nëna beqare e dy fëmijëve jeton në një pjesë të qetë, të klasës së mesme të kryeqytetit të Nigerit, Niamey, por është me origjinë nga Tillabery, një nga rajonet më të goditura nga dhuna.

“Kushëriri i nënës sime ishte kryeplaku i një fshati të quajtur Tera”, ka thënë ajo gjatë kohës së drekës. Ai u vra vetëm shtatë muaj më parë.

“Terroristët po e kërkonin dhe kur morën vesh se ai kishte marrë me qira një makinë për të ikur, e kapën dhe e vranë. E prenë në fyt. Ishte tronditje e vërtetë për të gjithë familjen tonë”.

Adama fajëson Francën – e cila ka pasur 1500 trupa në rajon për të luftuar militantët islamikë – në dështimin për ta frenuar dhunën.

“Ata nuk mund të na thonë se ushtria franceze ishte e suksesshme”, ka theksuar ajo. “Unë nuk e kuptoj se si ata mund të thonë se janë këtu për të ndihmuar njerëzit të luftojnë terrorizmin dhe çdo vit situata përkeqësohet”.

Nigeri shihej si aleati i fundit perëndimor në Sahel, ky rajon gjysmë i thatë i cili është bërë epiqendra e dhunës xhihadiste. Franca dhe SHBA-ja, secila stacionojnë trupa në Niger, i cili është gjithashtu shtëpia e bazës më të madhe të dronëve të SHBA-së.

Mirëpo kur Franca refuzoi ta njohë qeverinë e re ushtarake këtu, vloi pakënaqësia e zjarrtë për ndërhyrjen e perceptuar franceze në punët e brendshme të Nigerit.

Shumë nigerianë besojnë se Franca ka pasur qasje të privilegjuar në elitën politike dhe burimet natyrore të vendit për një kohë të gjatë. Ata e shohin grushtin e shtetit si një shans për një provë të pastër, një mënyrë për të rikthyer sovranitetin dhe për të hequr qafe ndikimin francez.

“Ushtria nuk ka qëndruar kurrë në pushtet për një kohë të gjatë në Niger”, ka theksuar Adama, duke iu referuar pesë grushteve të shtetit që kanë tronditur vendin që nga pavarësia e tij nga Franca në vitin 1960.

“Ushtria përfundimisht do të kthehet në bazat e tyre dhe do t’i dorëzohet një qeverie civile më të mirë që do ta çojë Nigerin drejt fatit të tij”, ka shtuar ajo.

Zemërimi popullor që pasoi refuzimin e Francës për të pranuar udhëheqjen e re të Nigerit u përshkallëzua kur junta u kërkoi trupave dhe ambasadorit të saj të largoheshin nga vendi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, fillimisht refuzoi të pajtohej, por tani thotë se ka vendosur të pajtohet me kërkesat e juntës, sepse autoritetet nigeriane “nuk janë më të interesuara për ta luftuar terrorizmin”.

“Franca na merr për idiotë”

Jashtë një baze ushtarake në Niamey që i strehon trupat franceze, qindra protestues kanë kampuar jashtë për javë të tëra, duke ndalur furnizimet të merren nga personeli atje.

Të premtave, protestuesit luten. Në vapën përvëluese të mesditës, imami Abdoulaziz Abdoulaye Amadou e këshillon turmën të jenë të durueshëm.

“Ashtu si një divorc midis një burri dhe një gruaje kërkon kohë, po ashtu edhe divorci i Nigerit nga Franca ka nevojë për kohë”, i thotë ai turmës.

Pas predikimit të tij, e pyes pse, pas vitesh bashkëpunimi të ngushtë, populli i Nigerit është kaq i zemëruar me francezët.

“Në të gjithë Sahelin, Nigeri është partneri më i mirë i Francës”, ka treguar ai. “Por është Franca ajo që tani po refuzon të pranojë atë që duam dhe kjo është arsyeja pse ka tension.

“Franca mund të ishte larguar në heshtje pas grushtit të shtetit dhe të kthehej për të negociuar me puçistët. Pse Emmanuel Macron tani thotë se nuk i njeh autoritetet tona, kur ai pranoi grushtet në vende të tjera si në Gabon dhe në Çad? “Kjo është ajo që na ka zemëruar dhe ne mendojmë se Franca na merr për idiotë”.

Gjatë lutjeve ka rrëmujë teksa hyn një makinë e madhe e rrethuar nga roja të armatosura.

Guvernatori i sapoemëruar i Niameyit, gjenerali Abdou Assoumane Harouna - i njohur gjerësisht si Plaquette - largohet. Ai është burrë mbresëlënës, i gjatë, i veshur me veshje ushtarake dhe beretë jeshile.

Teksa nxitojmë për ta bërë një intervistë me atë, ai drejton gishtin nga producenti im dhe i thotë turmës: “E shihni, të gjithë thonë se neve nuk ka pëlqejnë njerëzit e bardhë, mirëpo ne i presim ata krahëhapur”.

Ai më ka thënë se njerëzit e Nigerit duan një vend të begatë, krenar dhe sovran dhe se të huajt duhet të respektojnë vullnetin e tyre. Kur pyes nëse junta mund ta mbajë vendin e tij të sigurt nga terroristët, ai përgjigjet se forcat nigeriane kanë mbrojtur gjithmonë njerëzit e tyre dhe mund ta bëjnë këtë pa partnerë të huaj.

Por ata që kundërshtojnë regjimin kanë frikë se largimi i trupave franceze mund të jetë katastrofik për Nigerin dhe rajonin më të gjerë.

“Në luftën kundër terroristëve, Franca është partner kyç që ofron pjesën më të madhe të inteligjencës që na ndihmon të mposhtim terroristët”, ka shpjeguar Idrissa Waziri me bazë në Paris, ish-zëdhënës i presidentit të rrëzuar Mohamed Bazoum.

“Largimi i nxituar i francezëve ka çuar në përkeqësim të situatës së sigurisë në Mali dhe Burkina Faso. Franca në ditët e sotme është shndërruar si arsye për të nxjerrë njerëzit në rrugë, duke e fajësuar atë për të gjitha problemet tona. Franca nuk është problemi, problemi sot është kjo tentativë për grusht shteti që është një hap i rëndësishëm prapa për Nigerin”.

Për Fahiraman Rodrigue Kone, menaxher i projektit Sahel në Institutin për Studime të Sigurisë me bazë në Afrikën e Jugut, është shumë herët të thuhet nëse largimi i Francës do të çojë në pasiguri më të madhe në Niger dhe në Sahel më gjerësisht.

Në Malin fqinj, largimi i trupave të huaja dhe të OKB-së është pasuar nga rritja e dhunës si nga kryengritësit islamikë ashtu edhe nga grupet rebele. Por Kone thekson se ka dallime thelbësore midis vendeve.

“Ndryshe nga Mali, ushtria franceze luajti rol më mbështetës në Niger, duke ndihmuar trupat lokale në një kapacitet më të kufizuar”, ka thënë ai. “Ushtria nigeriane tashmë kishte shumë përvojë në luftimin e grupeve terroriste, veçanërisht në frontin lindor kundër Boko Haramit”.

Image

Mungesë bashkëpunimi

Ai ka shtuar se forcat e armatosura të Nigerit janë më të pranishme në të gjithë territorin e tyre sesa forcat e Malit. Në Mali, grupet terroriste mund të kapnin zona të mëdha territori në veri të vendit, ku mungonin shteti dhe ushtria.

Pas një kërcënimi nga blloku rajonal Ecowas se do ta pushtonte Nigerin nëse presidenti i rrëzuar Mohamed Bazoum nuk rikthehej në detyrë, Mali, Burkina Faso dhe Nigeri krijuan një aleancë më 16 shtator.

Në aleancën e sigurisë Sahel, ranë dakord ta ndihmonin njëri-tjetrin kundër rebelimeve të armatosura dhe agresionit të jashtëm. Kone mendon se kjo mund ta ndryshojë lojën.

“Mungesa e bashkëpunimit midis tre vendeve ishte një nga arsyet pse grupet terroriste mund të kalonin lehtësisht nga një territor në tjetrin”, ka theksuar ai. “Ka pasur tashmë dy ose tre operacione të përbashkëta ushtarake midis këtyre tri vendeve. Ky bashkëpunim i shtuar po ushtron presion të vërtetë mbi kryengritësit”.

Ai gjithashtu mendon se aleanca mund të ndihmojë në ndarjen e praktikave më të mira nga Nigeri në dy vendet e tjera.

Vitin e kaluar vdekjet e lidhura me terrorin në Niger ranë me 79% sipas Indeksit Global të Terrorizmit; gjersa fqinjët Mali dhe Burkina Faso u bënë dy vendet më vdekjeprurëse për sulmet terroriste. Rreth 90% e dhunës së vitit të kaluar në lidhje me ekstremizmin islamik në Sahel ndodhi në të dy vendet.

“Arsyeja që administrata e Bazoumit pati njëfarë suksesi në reduktimin e vdekjeve në Niger është sepse ajo zhvilloi një qasje më holistike: duke kombinuar strategjinë ushtarake me angazhimin e komunitetit dhe zhvillimin socio-ekonomik”, ka sqaruar Kone.

Por me krejt suksesin e tij relativ, ky proces nuk ishte i popullarizuar nga të gjithë, me disa anëtarë të ushtrisë që e shihnin atë si qeveri e butë ndaj terroristëve dhe duke inkurajuar mosndëshkimin. Është e paqartë nëse junta do të vazhdojë në të njëjtën rrugë.

Është gjithashtu e vështirë të matet se sa mbështetje ka presidenti Bazoum në Niamey.

Afërsia e tij me qeverinë franceze ka zemëruar shumë njerëz, por ne u përpoqëm të bënim ndonjë nga mbështetësit e tij, ose cilindo që kundërshtonte vendimin për ta dëbuar Francën, të na fliste në procesverbal. Shumica e njerëzve dukeshin shumë të frikësuar nga pasojat.

Nuk ndihmoi që junta ndoqi çdo lëvizje të ekipit të BBC-së në vend dhe ishte në dijeni të asaj që na thanë të intervistuarit.

Largimi i Francës nuk do të thotë domosdo fundi i bashkëpunimit të Nigerit me fuqitë perëndimore. Në Niger ka ende trupa të huaja, përfshirë ato nga SHBA-ja.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u ka thënë gazetarëve në Kenia se vendi i tij nuk kishte bërë ende ndonjë ndryshim të rëndësishëm në forcat e tij ushtarake në Niger.

Mirëpo ai ka thënë se ata do të vazhdojnë të vlerësojnë situatën atje dhe çdo hap i ardhshëm i bërë do t’i japë përparësi synimeve të tyre demokratike dhe të sigurisë.

Ndërsa Sahel e gjen veten në vijën e parë të luftës kundër terrorit, vendimet e marra nga juntat qeverisëse atje do të jenë vendimtare për përhapjen e ekstremizmit islamik në rajonin më të gjerë.

Përktheu: Blerta Haxhiu