Rregullatorët britanikë kanë miratuar shpime të reja të naftës dhe gazit, në Detin e Veriut, në një veprim që ambientalistët thonë se do ta dëmtojë përpjekjen e vendit për t’i përmbushur objektivat e tij mbi ndryshimet klimatike.
Autoriteti i Tranzicionit të Detit të Veriut të Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur se ka miratuar Planin e Zhvillimit të Fushës Rosebank, “i cili u lejon pronarëve të vazhdojnë me projektin e tyre”.
Qeveria konservatore e Mbretërisë së Bashkuar ka argumentuar se shpimi në fushën Rosebank, në veriperëndim të ishujve Shetland, do të krijojë vende të reja pune dhe do të forcojë sigurinë energjetike të vendit.
Një nga depozitat më të mëdha, të pashfrytëzuara, në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar, Rosebank ka kapacitet rreth 350 milionë fuçi naftë.
Fusha operohet nga “Equinor” e Norvegjisë dhe firma britanike “Ithaca Energy”, të cilat kanë thënë se planifikojnë t’i investojnë 3.8 miliardë dollarë në fazën e parë të projektit. Prodhimi pritet të nisë në periudhën 2026-2027.
Qeveria ka shtuar se ende synon të reduktojë emetimet e karbonit në Mbretërinë e Bashkuar në zero deri në vitin 2050.