Një vit më parë, pas zgjedhjeve kombëtare, partia me rrënjë neofashiste Vëllezërit e Italisë u ngrit në pushtet, teksa liderja Giorgia Meloni u bë kryeministrja e parë e Italisë.
Edhe një vit pas zgjedhjeve partia prin në sondazhe, por Meloni ka dështuar të qëndrojë larg ekstremizmit të origjinës politike në Itali, por ka pasur qasje më të moderuar kur bëhej fjalë për Evropën.
Në njëvjetorin e ngritjes në pushtet, sondazhet tregojnë se partia e kryeministres prin me përkrahje e cila deri më tani është 30 për qind. Kjo është katër për qind më shumë sesa që kishte në zgjedhjet e vitit 2022.
Meloni është duke bërë përpjekje që të duket si moderne dhe të largohet nga e kaluara e saj ekstreme.
Sipas analistëve, ajo ka pasur sukses në çështjet e politikës së jashtme, por ka dështuar në çështjet si migracioni. Korrespondentja e “Huffington Postit” në Bruksel, Angela Mauro, thotë se politika e Melonit është e bazuar në propagandë.
“Nuk ka pasur pengesa në politikën e saj të jashtme. Meloni e ka prezantuar veten si atlanticiste e dukshme dhe për shkak të kësaj ia doli të trajtohej mirë nga Brukseli. Por gjithçka tjetër është katastrofë sepse mënyra e saj e politikëbërjes është e bazuar në propagandë, për shembull në imigracion. Dhe propaganda nuk sjell zgjidhje”, ka thënë Angela Mauro, korrespondente në Bruksel.
Ndërkaq në vitin e saj të parë si kryeministre, italianët mbesin të përçarë. Disa mendojnë se opozita e dobët i ka fajet në suksesin e saj.
“Që prej fillimit të përvojës së saj qeverisëse, ka bërë përpjekje që të duket e moderuar, ta prezantoj veten si lidere larg nga ekstremizmi. Pastaj është zëvendëskryeministri Matteo Salvini, i cili e provokon atë në çdo çështje që kanë të bëjnë me Evropën. E provokon në sulmet ndaj Brukselit. Për këtë ajo duket se është e dobët”, është shprehur Mauro.
Evropa vlerësohet të jetë testi i saj më i madh për shkak të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Zëvendësi i saj Salvini po bëhet shqetësimi kryesor i koalicionit të saj qeverisës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.