Botë

Raportohet për përhapje të kolerës dhe etheve të dengës në lindje të Sudanit

Raportohet për përhapje të kolerës dhe të etheve të dengës në lindje të Sudanit, ku mijëra njerëz janë strehuar në kampet e mbushura përplot, si pasojë e luftimeve vdekjeprurëse mes ushtrisë dhe një force rivale paraushtarake, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 162 persona të dyshuar për kolerë janë pranuar në spitalet e provincës Qadarif dhe zona të tjera të gjera përgjatë kufirit të Sudanit me Etiopinë. 80 janë konfirmuar dhe 10 persona kanë vdekur nga kolera. Kolera është infeksion bakterial që zakonisht përhapet nëpërmjet ujit.

Sudani u përfshi në kaos në mes të prillit, kur nisi një luftë e hapur në kryeqendër Khartoum, në mes ushtrisë dhe grupit të fuqishëm paraushtarak. Lufta u përhap edhe në zona të tjera në Sudan.

Organizata bamirëse, Mjekët pa Kufij, ka ngritur dy qendra për të trajtuar pacientët me kolerësë bashkume dy ekipenë Qadarif.

OBSH-ja dhe Agjencia e OKB-së për refugjatët kanë rinovuar qendrën e izolimit për pacientët me kolerë në Spitalin Mësimor Qadarif, objekti kryesor mjekësor i provincës.

Shpërthimet e kolerës nuk janë të rralla në Sudanin e varfër. Sëmundja ka lënë të paktën 700 të vdekur dhe rreth 22 mijë të sëmurë, në më pak se dy muaj gjatë shpërthimit të fundit të madh në vitin 2017.

Në Etiopi, një shpërthim i kolerës që filloi në gusht të vitit 2022 kishte sëmurë të paktën 20 mijë njerëz dhe kishte shkaktuar më shumë se 270 vdekje, sipas OBSH-së.

Përhapja ka prekur shtatë rajone, përfshirë zonat përgjatë kufirit me Sudanin.

OBSH-ja ka njoftuar se më shumë se 500 raste të dyshuara me ethet e dengës u raportuan në të gjithë Sudanin, shumica e tyre në qendrat urbane në Qadarif.

Ethet dengë transmetohet te njerëzit përmes pickimit nga mushkonjat.

Shifra e raportuar konsiderohen si “maja e ajsbergut” pasi numri aktual është shumë më i lartë, duke pasur parasysh se shumica e pacientëve shikojnë të trajtohen në shtëpi dhe shpesh nuk shkojnë në spitale.

Sindikata e mjekëve sudanezë ka lajmëruar se “qindra” pacientë me dengë kanë vdekur në lindje të vendit, duke e përshkruar shpërthimin si “një krizë shëndetësore”.

Sindikata nuk ka treguar se kur kanë vdekur këta pacientë, por ka theksuar se shumica e spitaleve në Qadarif janë mbingarkuar me pacientë.

Shirat e dendur dhe përmbytjet, ndërkohë, kanë shkatërruar ose dëmtuar të paktën 13 mijë shtëpi në shtatë provinca në të gjithë Sudanin që nga korriku, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Më shumë se 72 mijë njerëz janë prekur, ka theksuar OCHA.

Konflikti në Sudan e ka shndërruar Khartoumin dhe zonat e tjera urbane në fushëbeteja, duke shkatërruar infrastrukturën civile dhe duke goditur një sistem edhe ashtu të rrënuar shëndetësor.

Shumë spitale dhe objekte mjekësore kanë dyer të mbyllura.

Të paktën 5 mijë njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 12 mijë janë lënduar, sipas Kombeve të Bashkuara, megjithëse shifrat aktuale ka të ngjarë të jenë më të larta. Agjencia e OKB-së për refugjatët ka njoftuar javën e kaluar se më shumë se 1200 fëmijë nën moshën 5-vjeçare kanë vdekur në nëntë kampe në Sudan në pesë muajt e fundit për shkak të një kombinimi vdekjeprurës të fruthit dhe kequshqyerjes.

Më shumë se 5.2 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre, e më shumë se 1 milion u larguan tërësisht nga Sudani. Gjysma e popullsisë së Sudanit - rreth 25 milionë njerëz - ka nevojë për ndihmë humanitare.