Ushtari ukrainas duke përqafuar bashkëshorten dhe të bijën në stacionin hekurudhor të Slovianskut, në rajonin e Donetksut. Treni nga Kievi drejt Kramatorskut është më i veçanti
Kievi vazhdimisht është sulmuar me raketa dhe dronë nga Rusia. Ama ndryshe prej Kramatorskut në rajonin e Donetskut, kryeqyteti ka mbrojtje më të fuqishme ajrore. Kjo ua jep kryeqytetasve iluzionin e sigurisë. “Njerëzit kanë ndryshuar, tani duken si më të përhumbur”, thotë ajo. “Kemi mësuar të jetojmë me këto raketa. Jemi bërë miq me to”, bën shaka jo. “Në Kiev atmosfera është krejt tjetër; njerëzit qeshin më shpesh”
Mes qindra trenash që lëvizin nëpër rrjetet hekurudhore të Ukrainës çdo ditë, ai mes Kievit dhe Kramatorskut është anash, i rrethuar me heshtje solemne teksa udhëtarët kuptojnë vendshkuarjen e tyre.
Çdo ditë, rreth orës shtatë të mëngjesit, udhëtarët e këtij rrugëtimi lënë prapa sigurinë relative të kryeqytetit dhe nisen drejt lindjes në zonat e frontit në të cilat lufta mes forcave ukrainase dhe ushtrisë ruse dhe shpesh nga bombardimet ruse, kanë bërë rrafsh me tokë pothuajse gjithçka.
Udhëtarët janë përzierje e burrave dhe grave që u ofrojnë një copë të shoqërisë ukrainase këtyre ditëve. Mes ulësesh ka ushtarë që kthehen nga fronti, gra që duan të takohen për pak ditë me bashkëshortët dhe të dashurit e tyre që shërbejnë në luftë dhe banorëve që kthehen për të kontrolluar shtëpitë në rajonin e Donetskut.
Të gjithë janë të përhumbur në mendime dhe rrallë bëjnë muhabet me njëri-tjetrin.
Nëntëmbëdhjetëvjeçarja Marta Banakh me ftohtësi pret ndalesën e radhës mes 19 stacioneve drejt Kramatorskut. Ajo e ndez cigaren në ndalesën e shpejtë teksa lëkundet sa në njërën këmbë në tjetrën.
Familja nuk e ka haberin që ajo nisi udhëtimin nga perëndimi i Ukrainës, duke përshkruar krejt vendin, për t’u takuar me të dashurin, i cili ka shërbyer në ushtri qëkur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022. Ai rrallë merr pushime, dhe Marta e sosi që ta befasonte me vizitë.
“Shqetësohem se çdo ditë e tij do të jetë e fundit dhe ne mund të mos shihemi më kurrë”, thotë ajo me flokët të lëshuar dhe një rreth në okë.
Gruaja duke e përqafuar të dashurin ushtar para se të niset nga Kievi drejt Kramatorskut, më 12 shtator
Treni i vetëm drejt luftës
Është treni i vetëm me shpejtësi që shkon drejt Kramatosrkut. Qyteti është 30 kilometra larg frontit të luftës dhe shpesh është cak i bombardimeve ruse. Dhe vetëm pak kilometra nga qyteti, lufta në qytetin e Bakhmutit të pushtuar nga Rusia, po hyn në vitin e dytë.
Lufta është bërë pjesë e pandashme e jetës së miliona ukrainasve dhe sistemi hekurudhor i vendit është në funksion përkundër luftës. Trenat e natës që bëjnë zhurmë mes shtetit ende mirëpresin udhëtarët me nga një gotë qaj apo çarçafë të pastër në vagonët për gjumë. Trenat bartin mallra, ndihma dhe pajisje.
Popullariteti i vijës Kiev-Kramatorsk tregon realitetin e luftës.
Rreth 126 mijë udhëtarë kanë përdorur këtë vijë hekurudhore gjatë muajve të verës sivjet, ka njoftuar operatori i hekurudhave Ukrzaliznytsia. Mban pozitën e katër për nga numri i udhëtarëve në trenat e shpejtë dhe ka mesataren e udhëtarëve prej 94 për qind mes të gjithë trenave në Ukrainë.
Lidhja ishte suspenduar për gjashtë muajt e parë të luftës. Ndalimi në muajin prill u bë pas sulmit me raketë në stacionin hekurudhor të Kramatorskut teksa udhëtarët po prisnin për evakuim. Nga bombardimi u vranë 53 persona dhe u plagosën 135 të tjerë në një prej sulmeve më vdekjeprurëse nga Rusia.
Alla Makieieva, 49-vjeçare, para luftës këtë vijë hekurudhore e ka përdorur shpesh. Teksa po kthehej nga një udhëtim nga kryeqyteti në Dobropillia, qytet jo fort larg Kramatorskut, ajo reflekton për ndryshimet para dhe pas luftës.
“Njerëzit kanë ndryshuar, tani duken si më të përhumbur”, thotë ajo. “Kemi mësuar të jetojmë me këto raketa. Jemi bërë miq me to”, bën shaka jo. “Në Kiev, atmosfera është krejt tjetër; njerëzit qeshin më shpesh”.
Kievi vazhdimisht është sulmuar me raketa dhe dronë nga Rusia. Ama ndryshe prej Kramatorskut në rajonin e Donetskut, kryeqyteti ka mbrojtje më të fuqishme ajrore. Kjo u jep kryeqytetasve iluzionin e sigurisë.
Ushtari ukrainas duke pritur trenin drejt Kramatorskut. Për të shkuar në këtë rajon, ai do të përshkojë 700 kilometra
Pak rehati
Kur rrezet e mëngjesit ngadalë vijnë duke u forcuar nga mesdita, hapësirat e trenit mbushen me ngrohtësi. Vagonët janë të mbushur me çanta ushtarake dhe aso më të vogla. Herë pas here, kamerieri thyen heshtjen, duke ofruar kafe, qaj dhe ëmbëlsira. Përgjatë rrugëtimit, mund të porositet ushqimi si pastat bolonjeze apo një filxhan kapuçino.
Bileta për trenin e shpejtë nga Kievi në Kramatorsk kushton 14 dollarë. Në shtatë orë rrugë, udhëtarët kalojnë diku 700 kilometra..
Njëzetegjashtëvjeçari Oleksandr Kyrylenko qëndron i ulur në lobin e trenit me një kafe në duar. Shpesh shikon përtej dritares teksa peizazhi ndryshon me shpejtësi. Është hera e parë që niset drejt fronit të luftës dhe e pranon se nuk priste të udhëtonte në epiqendër të luftës me kaq rehati.
Ka punuar si menaxher i një depoje në Poloni kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. “Kam ndihmuar aq sa kam mundur”, thotë ai. “Pastaj e vendosa se më duhej të shkoja vetë në Ukrainë”, shton ai. “Nuk kam frikë. Thjeshtë dua të mbarojë shumë shpejt”, thotë Kyrylenko i veshur me ngjyra ushtarake.
Prindërit e tij nuk ishin të lumtur me idenë e shkuarjes, por këtë verë rioshi i ktyer në Ukrainë donte që menjëherë të shkruhej për ushtar.
“Është vendim më i lehtë në vetëdijen time”, thotë ai duke shtuar se vendimi i erdhi krejt natyrshëm. “Burimet njerëzore po mbarojnë. Diçka duhet bërë për këtë punë”.
Treni arriti në stacionin e fundit me kohë. Platforma e pritjes mbushet shpejtë me njerëz.
Gruaja duke shikuar nga dritarja teksa niset për në Kramatorsk, për t’u takuar me të dashurin e saj
Udhëtimi për dashurinë
Disa, me çanta ushtarake ecin drejt në qetësi, të tjerët përqafimet me më të dashurit e tyre i kanë shumë të gjata.
Njëzetvjeçarja Sofia Sidorchuk përqafon të dashurin, i cili ka shërbyer në ushtri që prej fillimit të pushtimit nga Rusia. 20-vjeçari nuk dëshiron ta tregojë emrin për arsye të sigurisë.
Ai e shtrëngon fort Sofiian, sikur do të marrë për vete krejt kohën e humbur nga ndarja më e gjatë e lidhjes së tyre shtatëvjeçare.
“I kemi munguar njëri-tjetrit”, thotë Sofiia teksa sqaron për vendimin që të vinte në Kramatorsk nga rajoni i largët i Rivnes.
“Është dashnia”, thotë i dashuri i saj krejt me veshje ushtarake.
Komandanti i ka dhënë pushim pak ditë me qëllim që të jetë me të dashurën e tij. Pas pesë ditësh do të jetë pjesë e një sulmi ushtarak.