Më shumë se 300 persona kanë vdekur dhe 600 të tjerë janë plagosur nga bombat thërrmuese në Ukrainë gjatë vitit 2022. Ukraina ka tejkaluar Sirinë për numrin e të vdekurve nga municioni thërrmues për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit.
Rusia i ka përdorur me të madhe bombat thërrmuese, të cilat hapen në ajër dhe lirojnë bomba të tjera më të vogla – gjatë pushtimit të Ukrainës.
Kështu viti 2022 është bërë më vdekjeprurësi qëkur kanë nisur të regjistrohen nga bombat, të cilat shtetet perëndimore nuk i përdorin më për shkak të rrezikut se ato mund të shpërthejnë shumë vite më vonë.
Ndërkohë në Siri dhe në shtetet tjera të shkatërruara nga lufta në Lindjen e Mesme, ani pse nuk ka luftime aktive, mbetjet shpërthyese vazhdojnë të vrasin çdo vit.
Në mesin e të atyre që kanë pësuar nga këto bomba ishin 12-vjeçarja Rawaa al-Hassan dhe motra e saj 10-vjeçare, Doaa. Familja ka ikur nga Idlibi dhe tani jeton në veri të Sirisë.
Çminuesi Hassan Qazhali ka thënë se nga bombat e pashpërthyera më të rrezikuarit janë fëmijët.
“Bombat e vogla janë më të rrezikshmet për civilët, sidomos për fëmijët. Ato janë të ndjeshme në prekje dhe lëvizje. Së dyti janë të shpërndara në hapësira më të gjera. Së treti janë në forma të ndryshme që u duken atraktive fëmijëve”, ka thënë Qazhali.
Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur vajzat po ktheheshin nga shkolla, gjetën bombën e pashpërthyer dhe e morën duke menduar se ishte copë metali që mund ta shisnin. Rawaa humbi njërin sy, Doa, humbi dorën.
Për ironi edhe më të tmerrshme, babai i tyre vdiq para disa muajsh nga një bombë thërrmuese që nuk kishte shpërthyer.
“Më vdiq burri. Kur ai vdiq, ne ishim duke mbledhur dru për zjarr. Fëmijët e gjetën bombën dhe ia dhanë atij, ajo shpërtheu. Gjashtë muaj më vonë, ndodhi e njëjta. Vajzat po ktheheshin nga shkolla kur gjetën bombën, menduan se ishte lodër. Ato e sollën në shtëpi dhe shpërtheu”, ka thënë nëna e tyre.
Vdekjet dhe lëndimet nga shpërthimi i bombave të mbetura ka vazhduar me dekada.
Shumica e viktimave janë fëmijë.
Për shkak se bombat thërrmuese kanë formën e topave, fëmijët shpesh i marrin dhe luajnë me ato pa e ditur se çfarë janë.
Në Siri, 15 persona kanë vdekur nga shpërthimi i bombave të mbetura në vitin 2022.
Numri i të vdekurve ka rënë qëkur përfundoi lufta aktive në Siri, ani pse një sulme me bombë thërrmuese ishte raportuar në nëntorin e vitit 2022.
Mirëpo këto bomba nisën të përdoreshin në konfliktin në Ukrainë.
Bombat që përhapen në hapësira më të mëdha dhe qëndrojnë të pashpërthyera për vite - apo edhe dekada pasi luftimeve - janë vënë në qendër të vëmendjes që kur Shtetet e Bashkuara njoftuan në korrik se do t'i jepnin ato Ukrainës për t'i përdorur kundër Rusisë.
Zyrtarët amerikanë kanë mbrojtur vendimin për të ofruar bomba thërrmuese për Ukrainën sipas nevojës për të barazuar fushën e lojës përballë një kundërshtari më të fortë dhe kanë këmbëngulur se do të marrin masa për të zbutur dëmin ndaj civilëve.
Udhëheqësit amerikanë kanë thënë se në pakon e armatimit është përfshirë një version i bombës të reduktuar që do të thotë shpërthimi i tyre bëhet menjëherë gjatë përdorimit.
124 shtete i janë bashkuar konventës së Kombeve të Bashkuara që ndalon municionet thërrmuese. Shtetet e Bashkuara, Rusia, Ukraina dhe Siria nuk janë në këtë konventë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.