Senatori demokrat, Robert Menendez ka dhënë dorëheqje përkohësisht nga posti i kryetarit të komitetit për punë të jashtme në Senat pas ngritjes së aktakuzës për ryshfet, raporton agjencia AP.
Prokurorët kanë thënë se Menendez dhe bashkëshortja e tij, Nadine, kanë pranuar shufra të arit dhe para nga tre biznesmenë të New Jerseyt. Aktakuza është ngritur pas një viti hetimesh nga Departamenti i Drejtësisë.
Prokurorët kanë thënë se Menendez dhe bashkëshortja e tij kanë pranuar ryshfet, përfshirë para, ari, pagesa të qirasë së shtëpisë dhe një automjet luksoz.
Tre biznesmenët i kanë ofruar këto për të përdorur ndikimin dhe pushtetin e Menendezit si senator për t’i mbrojtur ata dhe për ta përkrahur Egjiptin.
Senatori demokrat dyshohet se ka marrë 480 mijë dollarë para të gatshme, të cilat, sipas prokurorëve kanë qenë të fshehura nëpër rroga dhe mobilie të shtëpisë.
Senatori veteran ka mohuar akuzat, teksa ka refuzuar thirrjet nga kolegët demokratë në New Jersye që të ofrojë dorëheqje nga posti i senatorit.
Ai ka thënë se rasti është i motivuar politikisht.
Kjo nuk është hera e parë që Menendez, 69-vjeçar, i cili ka shërbyer në Kongres që prej vitit 2006, ka ofruar dorëheqje nga komiteti për punë të jashtme.
Edhe në vitin 2015 ishte larguar përkohësisht pasi ishte ngritur aktakuzë ndaj tij nën dyshimet se kishte marrë ryshfet nga një doktor i syve në Florida.
Rasti u mbyll pasi juria e kishte të pamundur të merrte vendimin unanim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.