Kritikët thonë se plani, i cili do të dobësonte Gjykatën e Lartë – përfaqëson një kërcënim të thellë për demokracinë izraelite dhe argumentojnë se do të përqendronte pushtetin në duart e Netanyahut dhe aleatëve të tij. Ata pretendojnë se gjykata është kontroll kyç për sundimin e shumicës në një vend me sistem të dobët kontrollesh dhe balancash – vetëm një dhomë parlamenti ku koalicioni qeverisës kryesohet nga kryeministri
Gjykata e Lartë e Izraelit ka mbajtur seancë dëgjimore të martën, ku ka shqyrtuar planin e qeverisë për dobësimin e sistemit gjyqësor nga kryeministri Benjamin Netanyahu - duke thelluar një përballje me qeverinë e ekstremit të djathtë që ka ndarë ashpër kombin dhe e ka vendosur vendin në prag të një krize kushtetuese.
Koalicioni i Netanyahut, miksim ligjvënësish ultranacionalistë dhe ultrafetarë, zbuloi planin për dobësimin e Gjykatës Supreme në fillim të këtij viti, duke thënë se ishte e nevojshme të frenohej një gjyqësor i pazgjedhur që ata besojnë se zotëron shumë pushtet.
Kritikët thonë se plani, i cili do të dobësonte Gjykatën e Lartë – përfaqëson një kërcënim të thellë për demokracinë izraelite dhe argumentojnë se do të përqendronte pushtetin në duart e Netanyahut dhe aleatëve të tij.
Ata pretendojnë se gjykata është kontroll kyç për sundimin e shumicës në një vend me sistem të dobët kontrollesh dhe balancash – vetëm një dhomë parlamenti ku koalicioni qeverisës kryesohet nga kryeministri.
Çështja e hapur të martën fokusohet në ligjin e parë të miratuar nga parlamenti në korrik - një masë që anulon aftësinë e gjykatës për të “dënuar” lëvizjet e qeverisë që ajo i konsideron si “të paarsyeshme”. Gjyqtarët kanë përdorur standardin ligjor në raste të rralla për të parandaluar vendimet ose emërimet e qeverisë që shihen si të pabazuara ose të korruptuara.
Seanca dëgjimore e vendos Gjykatën Supreme të Izraelit në një pozicion të paprecedentë për të vendosur nëse do të pranojë kufizime në kompetencat e veta. Në shenjë të rëndësisë së çështjes, të 15 gjyqtarët po shqyrtojnë së bashku apelimet ndaj ligjit për herë të parë në historinë e vendit, në vend të paneleve tipike më të vogla. Procedurat gjithashtu po transmetohen drejtpërdrejt në stacionet televizive kryesore të vendit.
Një vendim nuk pritet për javë apo edhe muaj, por seanca mund të lë të kuptohet për drejtimin e gjykatës.
Mbijetesa politike e Netanyahut, i cili u kthye në pushtet në fund të vitit të kaluar teksa po gjykohej për akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit, është gjithashtu e lidhur me rishikimin. Partnerët e tij të koalicionit të linjës së ashpër dhe fetarisht konservatorë kanë kërcënuar se do të rebelohen nëse ai nuk e sheh legjislacionin të plotë dhe kritikët thonë se Netanyahu mund të përdorë ndryshimin për të hedhur poshtë akuzat kundër tij.
Plani ka zemëruar njerëzit në shumë segmente të shoqërisë izraelite, duke nxjerrë qindra mijëra në rrugë për të protestuar tash e 36 javë.
Përktheu: Blerta Haxhiu