Botë

Bisedimet për armë, Kim Jong Un me tren për në Rusi

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, po planifikon të udhëtojë në Rusi këtë muaj për ta takuar presidentin Vladimir Putin, ka njoftuar një zyrtar amerikan për BBC-në.

Sipas tij, liderët do të diskutojnë mundësitë që Koreja e Veriut t’i sigurojë Moskës armë për ta mbështetur luftën e saj në Ukrainë.

Vendndodhja e saktë e takimit të planifikuar nuk është e qartë. Disa burime kanë thënë për “New York Times” se Kim ka gjasa të udhëtojë me tren të blinduar.

Takimi i mundshëm vjen pasi Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka informacione të reja që negociatat për armët midis dy vendeve po përparojnë në mënyrë aktive.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, ka thënë se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, është përpjekur ta bindë Phenianin që t'i shesë municion artilerie Rusisë gjatë një vizite të fundit në Korenë e Veriut.

Armët e ekspozuara në takim përfshinin raketën balistike ndërkontinentale Hwasong.

“Ne i bëjmë thirrje DPRK-së të ndërpresë negociatat e saj të armëve me Rusinë dhe të respektojë angazhimet publike që Pheniani ka marrë për të mos ofruar apo shitur armë Rusisë”, ka thënë Kirby.

Ai paralajmëroi se SHBA-ja do të ndërmarrë veprime, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve, nëse Koreja e Veriut do të furnizonte Rusinë me armë.

“New York Times” raportoi se takimi mes Kimit dhe Putinit mund të zhvillohet në qytetin port të Vladivostokut, në bregun lindor të Rusisë.