Kryemercenari Yevgeny Prigozhin dhe udhëheqësit e tjerë të mercenarëve të “Wagnerit” janë shpallur të vdekur nga autoritetet ruse në rrëzimin e aeroplanit, i cili është cilësuar si atentat.
Rrëzimi i aeroplanit ka ndodhur dy muaj pasi Prigozhin dhe komandantët e tij organizuan kryengritjen që cenoi autoritetin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Agjencia e aviacionit civil në Rusi ka deklaruar se Prigozhin dhe gjashtë lejtënantët e tij ndodheshin në aeroplanin privat që u rrëzua në periferi të Moskës.
Përkrahësit e Prigozhinit nëpër rrjetet sociale kanë thënë se aeroplani është rrëzuar. Shumë prej tyre kanë pretenduar se është goditur nga një raketë nga forcat e mbrojtjes ajrore të Rusisë.
Një numër i madh i kundërshtarëve dhe kritikëve të Putinit janë vrarë ose helmuar në atentate të ndryshme.
Dmitry Oreshkin, profesor në Universitetin e Lirë në Riga, beson se rrëzimi i aeroplanit u bë për të treguar se Putini kontrollon shtetin e tij dhe se krejt burimet e pushtetit janë në anën e tij.
“Ky është veprim demonstrativ. Edhe ashtu, Prigozhini ka mundur të helmohej me qetësi dhe të vdiste nga sulmi në zemër, siç kanë pësuar shumë kundërshtarë të Putinit apo gjeneralët e tij. Por këtu janë në lojë disa faktorë. Së pari, është e qartë se eliminimi i një personi nuk është i mjaftueshëm dhe duhet hequr të gjithë, sepse me gjasë kanë pasur plan B nëse do të humbnin shefin e tyre dhe ky plan ndoshta nuk ishte i dobishëm për Putinin. Për këtë shkak, opsioni ideal ishte eliminimi i të gjithëve përnjëherë, në fakt, kjo edhe ndodhi”, ka thënë profesori Dmitry Oreshkin.
Policia ka rrethuar livadhin në të cilin ka rënë aeroplani privat dhe hetuesit rusë kanë hulumtuar gjatë. Trupat janë marrë nga forenzika.
Profesori Oreshkin thotë se forma e eliminimit është përdorur për të trembur të gjithë të tjerët që kanë plane kundër Putinit.
“Kushdo që guxon të shkelë diçka, do t'i këputet koka shpejt dhe menjëherë. Në këtë kuptim, Putini ka zgjedhur më pak të pakëndshmen nga opsionet e ndryshme të pakëndshme. Ai tregoi se kishte në kontroll situatën, se burimet e pushtetit ishin në anën e tij, se kushdo që guxon do ta pësojë”, është shprehur ai.
Të enjten presidenti rus Putin ka heshtur në lidhje me ngjarjen. Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në rrëzimin e aeroplanit. Zelenskyy ka thënë se të gjithë e dinë se kush është i përfshirë në vdekjen e Prigozhinit.