Botë

Numër i madh i sulmeve seksuale në akademitë ushtarake të SHBA-së

Studimi nga Pentagoni vjen pasi raporti i këtij viti ka treguar ngritje të madhe të sulmeve seksuale që janë raportuar në akademi gjatë vitit shkollor 2021-2022. Në këtë raport thuhet se një në pesë studente ka pasur përvojë të kontakteve të padëshiruara seksuale. Rezultatet e sondazhit ishin më të lartat që kur Departamenti amerikan i Mbrojtjes nisi mbledhjen e këtyre të dhënave para disa vjetësh.

Akademitë ushtarake amerikane duhet të përmirësojnë lidershipin e tyre, të ndalojnë praktikat toksike të tilla si detyrimi dhe të zhvendosin stërvitjen e sjelljes në klasa, thuhet në një raport të Pentagonit, me të cilin bëhet përpjekje të adresohet numri i madh i sulmeve seksuale dhe sjelljeve të pahijshme brenda akademive ushtarake.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se akademitë duhet të trajnojnë më mirë drejtuesit e studentëve për të ndihmuar shokët e tyre të klasës dhe të përmbysin atë që ka qenë shkëputje midis asaj që kadetët mësojnë në shkollë dhe sjelljes shpesh negative dhe të pandëshkuar që ata e shohin nga mentorët e tyre. Rishikimi i realizuar nga Pentagoni u bën thirrje oficerëve dhe drejtuesve të lartë që të punojnë më shumë me studentët në akademitë e ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore. Atyre gjithashtu u është kërkuar që të ofrojnë trajnime të zgjeruara.

Disa zyrtarë amerikanë kanë folur për raportin në kushte anonimiteti, pasi ende nuk është publikuar tërësisht. Ata kanë thënë se diskutimet rreth lehtësimit të stresit, sjelljes së keqe, rrjeteve sociale dhe çështjeve të tjera të jetës, janë zhvilluar pas orarit të punës ose gjatë fundjavave. Raporti ka rekomanduar që këto tema të trajtohen në klasa dhe të vlerësohen për të promovuar rëndësinë e tyre.

Image
Sulmet e raportuara nga studentët në akademi janë rritur për 18 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rastet kanë ndodhur më së shumti në Marinë, pasi ka dyfishin e numrit që kishte gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021.

Sondazhet anonime

Studimi nga Pentagoni vjen pasi raporti i këtij viti ka treguar ngritje të madhe të sulmeve seksuale që janë raportuar në akademi gjatë vitit shkollor 2021-2022. Në këtë raport thuhet se një në pesë studente ka pasur përvojë të kontakteve të padëshiruara seksuale. Rezultatet e sondazhit ishin më të lartat që kur Departamenti amerikan i Mbrojtjes nisi mbledhjen e këtyre të dhënave para disa vjetësh.

Sulmet e raportuara nga studentët në akademi janë rritur për 18 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rastet kanë ndodhur më së shumti në Marinë, pasi ka dyfishin e numrit që kishte gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021. Sondazhi anonim, pjesë e raportit, ka zbuluar rritje të madhe të kontaktit të padëshiruar – nga prekja e deri te përdhunimi. Të gjitha rastet kanë ndodhur në shkollat ushtarake. Si faktor kyç i këtyre rasteve është përmendur alkooli.

Në reagimin ndaj ngritjes së rasteve të sulmeve seksuale, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka urdhëruar vlerësimet për Akademinë Detare në Maryland, Akademinë e Forcave Ajrore në Colorado dhe Akademinë ushtarake në West Point të New Yorkut, me qëllim që të hetohen problemet dhe të identifikohen zgjidhjet. Raporti i Pentagonit është publikuar të enjten dhe ka rekomanduar përmirësimin e parandalimit të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale dhe eliminimin e ambientit toksik që nxit problemet. Austin ka urdhëruar zbatimin e shpejtë të rekomandimeve.

Image
Sondazhi anonim i kadeteve, pjesë e raportit të Pentagonit, ka zbuluar rritje të madhe të kontaktit të padëshiruar – nga prekja e deri te përdhunimi. Të gjitha rastet kanë ndodhur në shkollat ushtarake. Si faktor kyç i këtyre rasteve është përmendur alkooli.

Austin në një letër e ka pranuar se akademitë “kanë shumë më tepër punë për të ndaluar sulmet dhe ngacmimet seksuale”. Ai ka thënë se rritja e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale është shqetësuese dhe e papranueshme. Ai ka shtuar se këto raste degradojnë gatishmërinë e ushtrisë amerikane.

Zyrtarët që kanë folur në kushte anonimiteti tregojnë se akademitë ofrojnë programe të fuqishme, mirëpo klima komanduese toksike dhe jo të shëndetshme i bëjnë më pak efektive këto programe. Kur kadetët mësojnë një gjë për lidershipin ose parandalimin e rasteve nëpër klasa, ata nuk e shohin të përforcuar këtë në mjedise të tjera. Kjo, sipas tyre, përçon mesazhe të përziera se çfarë presin, se si të trajtohen dhe trajnohen të tjerët. Sipas zyrtarëve, mesazhet e tilla krijojnë cinizëm dhe mosbesim.

Këta zyrtarë kanë përmendur sistemin e kamotshëm të Akademisë së Forcave Ajrore që i trajton studentët e vitit të parë ndryshe dhe keq, duke nxitur klimë jo të shëndetshme. Studentët mund të largohen nga akademia me ndjenjë të keqe se si duket liderishipi i mirë.

Përvoja nga e kaluara

Ata kanë shtuar se faktor tjetër që kontribuon në problemet në sjellje është se – si studentë të tjerë të kolegjeve amerikane – shumë kadetë regjistrohen në akademi teksa kanë përjetuar gjëra të këqija më parë, duke filluar nga sulmet dhe ngacmimet seksuale e deri te mendimet ose tentativat për vetëvrasje. Për më tepër, në raport thuhet se studentët pastaj përballen me shumë stres gjatë arsimimit dhe trajnimit ushtarak.

Në shumë raste, raporti thotë se drejtuesit e studentëve nuk janë të trajnuar ose të pajisur për të trajtuar ato çështje ose për të ofruar mbështetjen e duhur për studentët.

Një problem tjetër, kanë përmendur zyrtarët, është ndikimi gjithnjë në rritje i mediave sociale, ku ngacmimi mund të vazhdojë i pakontrolluar. Raporti ka përmendur “Jodelin”, aplikacion anonim i mediave sociale, që fokusohet në vendndodhje specifike dhe është në përdorim të gjerë nga studentët e akademisë.

Raporti ka treguar se studentët nga aplikacioni mund të marrin informacion të pasaktë në lidhje me parandalimin e sulmeve, raportimin, burimet dhe drejtësinë ushtarake, duke i shtyrë ata që të mos kërkojnë ndihmë.

Në raport thuhet se trajnimi në akademi nuk ka mbajtur shpejtësinë me ndryshimet, duke përfshirë platformat sociale gjithnjë e në rritje dhe dallimi i studentëve të sotëm me ata nga dekadat e mëparshme.