Veri-koreanëve u është thënë që të bëjnë çfarëdo që është e mundur për t’i mbrojtur portretet e dinastisë Kim, ndërsa vendi përballet me vërshime dhe erëra të forta të shkaktuara nga stuhia tropikale Khanun.
“Rodong Sinmun”, gazeta e partisë udhëheqëse, ka thënë se “fokusi kryesor” i njerëzve duhet të jetë “në sigurinë” e portreteve të liderit aktual, Kim Jong-un, dhe babait të tij, Kim Jong-il, si dhe gjyshit dhe themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il-sung.
Gazeta po ashtu nxiti qytetarët që të mbronin numrin e madh të statujave, mozaikëve, muraleve dhe monumenteve të tjera të dinastisë Kim, e cila ka udhëhequr Korenë e Veriut që nga themelimi më 1948, shkroi Guardian.
Katastrofat natyrore mund të kenë ndikim shkatërrues athe për shkak të infrastrukturës së dobët dhe shpyllëzimit që ka rritur cenimin nga vërshimet.
Portretet e Kim Jong-il dhe Kim Il-sung gjenden në secilën shtëpi dhe zyrë në vend, dhe njerëzit mund të përballen me ekzekutim për dëmtimin e tyre, edhe nëse aksidentalisht.