Botë

Ministri izraelit: Nëse Hezbollahu sulmon, Libani kthehet në Epokën e Gurit

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, i ka adresuar një paralajmërim të ashpër grupit militant libanez, Hezbollah, kundër përshkallëzimit të armiqësive.

Gjatë një turneu në kufirin verior, Gallant deklaroi që në rast të një konflikti të ri midis Izraelit e Hezbollahut, pas atij të 2006-s, atëherë shteti i tij “do ta kthejë Libanin në Epokën e Gurit”.

Ai këto komente i bëri në kohën e tensioneve në rritje përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin dhe teksa ushtria izraelite po përballet me kërcënime mbi kohezionin e saj lidhur me përpjekjet e Qeverisë për të dobësuar gjyqësorin e vendit, raportoi AP.

Izraeli dhe Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ishin përfshirë në një luftë shkatërruese 34-ditore në verën e vitit 2006. Që atëherë, palët e shmangën një luftë të drejtpërdrejtë, me gjithë shpërthimet e shpeshta të tensioneve. Por të dyja palët vazhdimisht kanë paralajmëruar se një konflikt i ri mund të shpërthejë në çdo kohë.