Botë

Presidenti rus mund të hakmerret ndaj udhëheqësit të grupit “Wagner”

Shefi i CIA-s, William Burns, ka theksuar se presidenti rus mund të jetë duke pritur për të marrë hak. “Putini është dikush që në përgjithësi mendon se hakmarrja është një pjatë që shërbehet më së miri e ftohtë”, ka theksuar Burns. “Në përvojën time, Putini është apostulli i fundit i shpagimit, kështu që do të habitesha nëse Prigozhini do t’i shpëtonte ndëshkimit të mëtejshëm”, ka theksuar ai

Presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të blejë kohë ndërkohë që po planifikon se si të sillet me Yevgeny Prigozhinin, thotë drejtori i CIA-s.

Prigozhin është kreu i grupit mercenar “Wagner”, i cili udhëhoqi një kryengritje në Rusi një muaj më parë. Kjo kryengritje ekspozoi dobësi të rëndësishme në sistemin e pushtetit që Putini ka ndërtuar, ka theksuar kreu i CIA-s, William Burns.

Ai i ka thënë Forumit të Sigurisë në Aspen se lideri rus mund të kërkojë ende hakmarrje ndaj Prigozhinit.

“Ajo që po shohim është valle shumë e ndërlikuar”, është shprehur shefi i CIA-s.

Prigozhin është larguar, por ka qenë në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk kohët e fundit, si dhe në Rusi, tha ai kur u pyet për një video të fundit që tregonte shefin e “Wagnerit” në Bjellorusi. Putini ka të ngjarë të përpiqet të blejë kohë teksa ai të përpunojë mënyrën më të mirë për t’u marrë me liderin e grupit “Wagner”, ka shtuar Burns.

Ky grup mercenar ka ende vlerë për lidershipin e Rusisë në vende si Afrika, Libia dhe Siria dhe kështu kishte të ngjarë që Putini të përpiqej të ndante grupin nga udhëheqësi i tij.

Shefi i CIA-s ka theksuar se presidenti rus mund të jetë duke pritur për të marrë hak.

“Putini është dikush që në përgjithësi mendon se hakmarrja është një pjatë që shërbehet më së miri e ftohtë”, ka theksuar Burns. “Në përvojën time, Putini është apostulli i fundit i shpagimit, kështu që do të habitesha nëse Prigozhini do t’i shpëtonte ndëshkimit të mëtejshëm”.

Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan, Joe Biden, ka sugjeruar se ekzistonte rreziku që shefi i “Wagnerit” mund të helmohej.

“Nëse do të isha ai, do të kisha kujdes se çfarë ha. Do ta mbaja vëmendjen në menynë time”, është shprehur presidenti.

Agjencia e inteligjencës me të vërtetë kishte njohuri paraprake për kryengritjen, ka treguar Burns, duke konfirmuar raportet e mëparshme.

Një gjeneral i lartë i ushtrisë ruse, Sergei Surovikin, i cili u raportua se kishte njohuri paraprake për kryengritjen e “Wagnerit”, gjithashtu nuk e ka aktualisht “lirinë e lëvizjes”, ka shtuar shefi i CIA-s.

Rebelimi ishte sulmi më i drejtpërdrejtë që Putin ka parë në 23 vjetët e tij në pushtet, duke përfshirë edhe sfidimin e drejtpërdrejtë të justifikimit të Kremlinit për luftën në Ukrainë me Prigozhinin duke thënë se ajo ishte ndërtuar mbi gënjeshtra, ka treguar Burns.

Ai ka thënë se ajo që ishte më e habitshme ishte se lideri rus ndihej i detyruar të bënte një marrëveshje me një njeri që dikur ishte kuzhinieri i tij.

Prigozhin shpesh përmendet si “kuzhinieri i Putinit” pasi ai u bë i njohur për herë të parë kur ofroi shërbime ushqimore për Putinin dhe ushtrinë përpara se ta themelonte grupin “Wagner”.

Nëse Ukraina bën përparime të mëtejshme në fushën e betejës, atëherë kjo mund të ndikojë që më shumë rusë t’i kushtojnë vëmendje kritikës së Prigozhinit ndaj luftës.

Nuk duhet të jetë befasi që kundërofensiva e Ukrainës të jetë “detyrë e vështirë”, ka theksuar kreu i CIA-s, duke pasur parasysh se, sipas tij, sulmi ishte më i vështirë se mbrojtja dhe rusët kishin muaj për t'u përgatitur.

“Do të marr kohë dhe nuk do të jetë e lehtë për të bërë përparim. Megjithatë, unë jam optimist”, është shprehur Burns.

Përktheu: Blerta Haxhiu