Botë

Kremlini konfirmon takimin mes Prigozhinit dhe Putinit

Mediat ruse kanë raportuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe lideri i “Wagnerit”, Yevgeny Prigozhin, kanë zhvilluar një takim më 29 qershor, disa ditë pas rebelimit të mercenarëve rusë, transmetoi Politico. Ky takim u zhvillua në Moskë më 29 qershor dhe ka zgjatur rreth 3 orë, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sipas zëdhënësit, në këtë takim Putini “dha një vlerësim të veprimeve të kompanisë” në vijën frontit në Ukrainë dhe “për ngjarjet e rebelimit”.

“Putini dëgjoi shpjegimet e komandantëve dhe u ofroi atyre mundësi të mëtejshme për punësim dhe përdorim të mëtejshëm luftarak”, ka shtuar Peskov.

Sipas Politico-s, mercenarët thuhet se kanë shtuar se “janë të gatshëm të vazhdojnë luftën për Rusinë”.

Rebelimi i Prigozhinit nisi më 23 qershor në qytetin Rostov të Rusisë, me arsyetimin që Putini s'po e përkrah atë në luftë kundër Ukrainës.

“Wagneri” është ankuar vazhdimisht se kanë luftuar më tepër se ushtria e rregullt ruse në Ukrainë.