Botë

Përkthyesi afgan iku nga talebanët për t’u vrarë në rrugët e Washingtonit

Mohammad Ahmadi, kushëriri i Ahmad Yarit, kishte ikur në Amerikë pasi punoi për ushtrinë amerikane. Të dy folën me telefon se si Ahmad Yari dhe familja e tij të iknin nga Afganistani. Ahmadi thotë se kushëriri i tij i shihte ushtarët talebanë që kontrollonin rrugët e Kabulit. Ishte i shqetësuar se ata do ta zbulonin se Ahmad Yar kishte punuar si përkthyes për ushtrinë amerikane.

Si 31-vjeçar, Nastrat Ahmad Yar kishte kaluar krejt jetën prej të rrituri duke punuar me ushtrinë amerikane në Afganistan para se të ikte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kërkim të jetës më të mirë për bashkëshorten dhe katër fëmijët e tyre.

Kishte gjetur punë si shofer dhe arriti që të dërgonte para në Afganistan për të ndihmuar familjen e gjerë dhe miqtë. I pëlqente të luante volejboll me shokët në periferi të Washingtonit, në të cilën tani jetojnë shumë afganë që kanë ikur nga atdheu i tyre. Me shtatgjatësinë e tij, kishte servimin e fuqishëm në volejboll.

Të hënën mbrëma, i shqetësuar se nuk do të mund të paguante qiranë, doli me automjet dhe u vra me një plumb në Washington. Asnjë i dyshuar nuk është arrestuar, mirëpo në videot e kapura nga kamerat e sigurisë dëgjohet një e shtënë dhe katër djem apo të rinj që shihen duke ikur. Policia ka ofruar 25 mijë dollarë për informacione që do të mund të ndihmonin në arrestimin e ndonjë të dyshuari.

“Ishte zemërbardhë. Ishte shumë i mirë. Gjithmonë ndihmonte njerëzit”, thotë Rahim Amini, refugjat afgan dhe shok i ngushtë i Yarit. Thotë se shoku gjithmonë ia përsëriste një gjë: “Mos harro njerëzit që ke lënë prapa”.

Jeramie Malone, amerikane që u njoh me Ahmed Yarin nëpërmjet punëve vullnetare me organizatën e veteranëve që ndihmonte në shpërnguljen e përkthyesve afganë në Amerikë, gjithashtu kishte mbetur e shtangur nga zemërgjerësia e tij.

“Ai donte që të jepte më shumë sesa merrte dhe ishte jashtëzakonisht i këndshëm”. Në Amerikë, Malone thotë se krejt çka donte ai “ishte një shans”

Amini thotë se Ahmad Yar kishte punuar me ushtrinë amerikane si përkthyes për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte bërë edhe të tjera punë, teksa shihte ndihmën për gjeneratën e ardhshme të Afganistanit që të ketë jetë më të mirë.

Teksa që prej vitit 2009 SHBA-ja kishte programin e vizave të veçanta për afganët që kanë punuar ngushtë me qeverinë amerikane që të shkonin në Amerikë, Amini thotë se shoku i tij nuk donte të aplikonte menjëherë. Preferonte të qëndronte në Afganistan, sepse e ndiente se i duhej vendit.

Atij i kujtohej Ahmad Yar duke thënë se “këtu kam njerëz që kanë nevojë për mua... kur do ta di se nuk kanë nevojë për përkrahjen time mund të shkoj në Amerikë”.

Pastaj në gushtin e vitit 2021, SHBA-ja u tërhoq nga Afganistani dhe talebanët morën kontrollin e shtetit.

Image
Nastrat Ahmed Yar, në të majtë, dhe Rahim Amini në Alexandria të Washingtonit. Të dy erdhën në SHBA pasi kishin punuar me ushtrinë amerikane në Afganistan

Mohammad Ahmadi, kushëriri i Ahmad Yarit, kishte ikur në Amerikë pasi punoi për ushtrinë amerikane. Të dy folën me telefon se si Ahmad Yari dhe familja e tij të iknin nga Afganistani. Ahmadi thotë se kushëriri i tij i shihte ushtarët talebanë që kontrollonin rrugët e Kabulit. Ishte i shqetësuar se ata do ta zbulonin se Ahmad Yar kishte punuar si përkthyes për ushtrinë amerikane.

“Ai thoshte: ‘Nuk dua që të më vrasin para syve të gruas dhe fëmijëve’”, thotë Ahmadi. Kur ai nuk arriti që të fluturonte nga aeroporti i Kabulit i stërmbushur me njerëz, Ahmad Yar shkoi në drejtim të veriut të Afganistanit me shpresën se do të kalonte në Uzbekistan. Kur edhe kjo rrugë ishte e mbyllur për të, ia mësyu veriperëndimit në qytetin Mazar-e-Sharif. Nga këtu familja fluturoi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pastaj drejt Amerikës.

Edhe kur kishte arritur në qytetin Mazar-e-Sharif, Nasrati do të ndihmonte afganët e tjerë që kishin ikur nga talebanët – përshëndeste secilin në këtë qytet të panjohur, duke sjellë familjet e tjera për t’u njohur me të tijën. I ushqeu teksa priste fluturimin drejt Emirateve, thotë Malone.

“Nastrati ishte krejt ndryshe, sepse edhe pse kishte nevojë për ndihmë, ai gjithmonë ishte duke më ndihmuar mua”, thotë ajo.

Rrugëtimi i vështirë

Teksa priste për kalimin në kampin transit në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai kërkonte lapsa e fletore për fëmijët me qëllim që t’ua mësonte gjuhën angleze para se të arrinin në SHBA, thotë Malone. “Ishte shumë e rëndësishme për të që fëmijët të arsimoheshin dhe të kishin mundësi që nuk i patën kurrë në Afganistan”.

Ka vajzën më të madhe, tani 13-vjeçare, dhe tre djemtë, 11-vjeç, 8-vjeç dhe 15 muajsh.

Familja së pari është ndalur në Pennsylvania, por Amini thotë se shoku i tij u plaçkit dhe vendosi të shpërngulej në Alexandria në veri të Virginias në periferi të Washingtonit. Amini thotë se Ahmad Yar i kishte thënë se kishte ikur drejt Amerikës që të jetë i sigurt, por fatkeqësisht as këtu nuk jam i sigurt”.

Në Virginian veriore, të dy shokët përfunduan duke punuar si shoferë dhe jetuan vetëm tri kilometra larg njëri-tjetrit. Si shumë njerëz nga diaspora afgane në këtë qytet, ata komunikonin çdo ditë në grupin në “WhatsApp”. Luanin çdo javë volejboll. Ahmad Yar ishte shumë i mirë në këtë fushë dhe askush nuk mund t’i bllokonte servimet e tij, thotë Amini.

Amini thotë se komunikuan të hënën në mbrëmje dhe të nesërmen u zgjua nga një shok afgan që disi kishte dëgjuar se Ahmad Yar ishte vrarë.

Disi nuk besonte dhe Amini nisi ta telefononte shokun e tij. Ishte policia që më në fund hapi telefonin e Yarit. “Polici më tha: ‘Më vjen keq. Fatkeqësisht ai më nuk është gjallë”.

Vrasja e përkthyesit

Policia në raportin në lidhje me vrasjen ka sqaruar se kishte reaguar ndaj një thirrjeje për një person pa ndjenja dhe kishte gjetur trupin e Ahmad Yarit. Policia e ka dërguar në spital, ku është shpallur i vdekur. Në videon e publikuar, njëri nga katër të dyshuarit kishte bërtitur: “Sapo e vrave”. Ndërkaq tjetri ishte përgjigjur: “Gati sa nuk më kapi vëlla”.

Washingtoni ka dështuar të ndalë krimin në vitet e fundit. Vrasjet dhe plaçkitjet e veturave janë krimet më të shpeshta. Vrasjet janë ngritur për 14 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Të mërkurën nëntë persona që po festonin Ditën e Pavarësisë së SHBA-së u plagosën.

Që prej vrasjes së Ahmad Yarit, bashkëshortja e tij ka marrë shumë ngushëllime dhe donacione që janë formuar nëpër rrjetet sociale.

Tariq Ahmadzai është themelues i “Help Build Tomorrow”, grup që ndihmon afganët në Amerikë dhe Afganistan. Ai thotë se vrasja e një personi që kalon krejt rreziqet në Afganistan dhe ia del të ikë në drejtim të Amerikës dhe pastaj vritet duke ndihmuar familjen dhe të tjerët, ka shtangur krejt komunitetin.

Mes mësimit të gjuhës së re, gjetjes së punës dhe vështirësive me burokracitë e qeverisë për të plotësuar dokumentet e migrimit, familjet afgane po përballen me shumë vështirësi edhe pas arritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë burra punojnë në Lyft ose Uber.

“Ata duhet luftojnë që të kenë një lloj fillimi të punës për të përkrahur familjen”, thotë Ahmadzai. “Kjo është puna e tyre”.

Ahmad Yar është varrosur të shtunën. Bashkëshortja e tij është e tmerruar, thotë kushëriri Ahmadi. Mirëpo thotë se ajo ka qëllimin e njëjtë si burri i saj që kur erdhën në Amerikë – të sigurojë të ardhme për fëmijët e tyre.

“Kam të njëjtin qëllim për ata. Ata mund të shkojnë në shkollë. Pastaj në kolegj dhe të arsimohen dhe të jenë njerëz të mirë për shoqërinë”, i kishte thënë ajo kushëririt të burrit.

Përktheu: Gent Mehmeti