Kombet e Bashkuara planifikojnë t’i japin fund misionit të saj paqeruajtës dhjetëvjeçar në Mali më 30 qershor dhe do të tërheqin të gjithë personelin brenda gjashtë muajve, sipas një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit të propozuar nga Franca, raportoi të martën Reuters.
Tërheqja e misionit prej 12 mijë trupash, i njohur si MINUSMA, do të ndodhë pas vitesh tensionesh midis OKB-së dhe juntës ushtarake të Malit.
Misioni i OKB-së vlerësohet të ketë luajtur një rol jetësor në mbrojtjen e civilëve kundër një kryengritjeje islamike që ka vrarë mijëra njerëz.
Ekspertët kanë frikë se situata e sigurisë mund të përkeqësohet kur misioni të largohet, duke e lënë ushtrinë e papajisur të Malit vetëm me rreth 1000 luftëtarë Wagner për të luftuar militantët që kontrollojnë disa pjesë të territorit.
Sipas projekt-rezolutës, personeli i OKB-së do të qëndrojë deri në fund të vitit për të lejuar një tranzicion, por gjatë kësaj periudhe aktivitetet e MINUSMA do të ndalen, duke përfshirë mbështetjen kryesore që ofron për ushtarët e Malit.
"Këshilli i Sigurimit vendos të përfundojë mandatin e MINUSMA-s më 30 qershor 2023", thuhet në projekt-rezolutën e qarkulluar midis vendeve anëtare të këshillit javën e kaluar. “MINUSMA do të mbajë personelin e saj deri më 31 dhjetor 2023, për të planifikuar dhe ekzekutuar ndërprerjen e operacioneve dhe transferimin e detyrave", është thënë më tej.