Në shoqërinë thellësisht patriarkale të Afganistanit, të rraskapitur nga katër dekada lufte, OKB-ja vlerëson se një në dy njerëz - shumica prej tyre gra - vuanin nga shqetësimi psikologjik edhe para pushtimit të talebanëve në vitin 2021. Por ekspertët i kanë thënë BBC-së se gjërat janë përkeqësuar për shkak të shtypjes së qeverisë talebane ndaj lirive të grave dhe krizës ekonomike në vend
"Unë thjesht dua që dikush të dëgjojë zërin tim. Unë kam dhimbje dhe nuk jam e vetmja", thotë një studente afgane në nëj universitet, duke mos mundur t’i mbajë lotët.
"Shumica e vajzave në klasën time kanë pasur mendime për vetëvrasje. Të gjitha vuajmë nga depresioni dhe ankthi. Nuk kemi asnjë shpresë".
Vajza, në fillim të të njëzetave, u përpoq t'i jepte fund jetës së saj katër muaj më parë, pasi studentet u ndaluan të studionin në universitet nga qeveria talebane në dhjetor të vitit të kaluar. Tani ajo po trajtohet nga një psikolog.
Fjalët e saj ofrojnë një pasqyrë të një krize shëndetësore më pak të dukshme, por urgjente me të cilën përballet Afganistani.
"Ne kemi një pandemi të mendimeve për vetëvrasje në Afganistan. Situata është shumë e rëndë dhe bota rrallë mendon ose flet për të", thotë psikologia Dr. Amal.

"Lexoni lajmet për krizën e urisë, por askush nuk flet për shëndetin mendor. Është sikur njerëzit po helmohen ngadalë. Dita-ditës po humbasin shpresat".
Dr. Amal thotë se ajo mori 170 thirrje për ndihmë brenda dy ditëve, pas njoftimit se gratë do të ndaloheshin të studionin në universitete. Tani ajo pranon afërsisht shtatë deri në dhjetë thirrje të reja për ndihmë çdo ditë. Shumica e pacientëve të saj janë vajza dhe gra të reja.
Historia e Nadirit
Në shoqërinë thellësisht patriarkale të Afganistanit, të rraskapitur nga katër dekada luftë, OKB-ja vlerëson se një në dy njerëz - shumica prej tyre gra - vuanin nga shqetësimi psikologjik edhe para pushtimit të talebanëve në vitin 2021. Por ekspertët i kanë thënë BBC-së se gjërat janë përkeqësuar për shkak të shtypjes së qeverisë talebane ndaj lirive të grave dhe krizës ekonomike në vend.
Është jashtëzakonisht e vështirë t’i bindësh njerëzit të flasin për vetëvrasjen, por gjashtë familje kanë pranuar të tregojnë historitë e tyre për BBC-në.
Nadir është një prej tyre. Ai tregon se vajza e tij vrau veten në ditën e parë të semestrit të ri shkollor në mars të këtij viti.
"Deri atë ditë, ajo kishte besuar se shkollat do të rihapen përfundimisht për vajzat. Ajo ishte e sigurt për këtë. Por kur kjo nuk ndodhi, ajo nuk mundi ta përballonte dhe i dha fund jetës së saj", thotë ai. "Ajo e donte shkollën. Ajo ishte e zgjuar, donte të studionte dhe t'i shërbente vendit tonë. Kur ata mbyllën shkollat, ajo u shqetësua jashtëzakonisht dhe qante shumë".
Është e qartë se Nadiri ka dhimbje teksa flet.
"Jeta jonë është shkatërruar. Asgjë nuk ka rëndësi më për mua. Unë jam në gjendjen më të keqe ndonjëherë. Gruaja ime është shumë e shqetësuar. Ajo nuk mund ta përballojë faktin që duhet të jetojë në shtëpinë ku na vdiq vajza".
E ardhmja që ndalon
Babai i një vajze në të njëzetat e hershme tregon se çfarë ai beson se ishte arsyeja e vetëvrasjes së vajzës së tij.
"Ajo donte të bëhej mjeke. Kur shkollat u mbyllën, ajo ishte e shqetësuar dhe e mërzitur", thotë ai.
"Kur ajo nuk u lejua të ulej për provimin e pranimit në universitet, atëherë humbi çdo shpresë. Është një humbje e padurueshme", shton ai, pastaj ndalon papritur dhe fillon të qajë.
Historitë e tjera që rrëfehen janë të ngjashme - vajza dhe gra të reja, të paafta për të përballuar jetën e tyre dhe e ardhmja ndalon për to.
BBC-ja ka biseduar edhe me një mësuese, Meherin, e cila tha se ishte përpjekur të vetëvritet dy herë.
"Talebanët mbyllën universitetet për gratë, kështu që unë humba punën time. Dikur mbaja familjen. Tani nuk mund t'i përballoj shpenzimet. Kjo ndikoi vërtet", tha ajo. “Për shkak se isha e detyruar të rrija në shtëpi, më bënin presion të martohesha. Të gjitha planet që kisha për të ardhmen time u prishën. Ndihesha totalisht e çorientuar, pa synime e shpresa dhe për këtë arsye u përpoqa t'i jepja fund jetës".
Përshkallëzimi i numrit të vetëvrasjeve
BBC-ja filloi të shqyrtojë këtë krizë për shkak të lajmeve të shumta në portalet lokale që raportonin vetëvrasje nga pjesë të ndryshme të vendit.
"Situata është katastrofike dhe kritike. Por neve nuk na lejohet të kemi qasje në statistikat e vetëvrasjeve. Megjithatë, mund të them se mezi mund të gjesh dikë që nuk vuan nga një sëmundje mendore", thotë Dr. Shaan, psikiatër që punon në një spital publik në Afganistan.
Një studim i bërë në provincën Herat nga Qendra e Afganistanit për Studime Epidemiologjike, i publikuar në mars të këtij viti, ka treguar se dy të tretat e adoleshentëve afganë raportuan simptoma të depresionit. OKB-ja ka ngritur alarmin për "çështjet e përhapura të shëndetit mendor dhe numrin e përshkallëzuar të vetëvrasjeve".
Talibanët thonë se nuk po i regjistrojnë rastet e vetëvrasjeve dhe nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth rritjes së shifrave. Për shkak të stigmës së lidhur me të, shumë familje nuk raportojnë vetëvrasjet.
Në mungesë të të dhënave, BBC-ja është përpjekur të vlerësojë shkallën e krizës përmes bisedave me dhjetëra njerëz.
Asgjë nuk ka më rëndësi
"Të qëndrosh në shtëpi pa arsimim apo të ardhme, më bën të ndihem çuditshëm. Ndihem e rraskapitur dhe indiferente ndaj gjithçkaje. Është sikur asgjë nuk ka më rëndësi", thotë një adoleshente, ndërsa lotët i bien rrëke në fytyrë.
Ajo tentoi t'ia merrte jetën vetes. BBC-ja e takoi në prani të mjekut dhe nënës së saj, e cila nuk e lë të bijën t’i ikë nga sytë.
BBC-ja i pyeti ato pse duan të flasin me ne.
“Asgjë më e keqe se kjo nuk mund të ndodhë, prandaj po flas”, thotë vajza. "Dhe mendova se ndoshta nëse flas, diçka do të ndryshojë. Nëse talebanët qëndrojnë në pushtet, atëherë mendoj se ata duhet të njihen zyrtarisht. Nëse kjo ndodh, unë besoj se ata do t’i rihapin shkollat".
Psikologia Dr. Amal thotë se edhe pse gratë janë goditur më shumë, edhe burrat janë gjithashtu të prekur.

"Në Afganistan, si burrë, rritesh për të besuar se duhet të jeni të fuqishëm", thotë ajo. "Por tani burrat afganë nuk mund të ngrenë zërin. Ata nuk mund të sigurojnë financiarisht familjet e tyre. Kjo me të vërtetë i prek ata”.
"Dhe për fat të keq, kur burrat kanë mendime vetëvrasëse, ata kanë më shumë gjasa të kenë sukses në përpjekjet e tyre sesa gratë për shkak të mënyrës se si i planifikojnë ato".
Në një mjedis të tillë, BBC-ja pyet se çfarë këshillash u jep ajo pacientëve të saj?
"Mënyra më e mirë për të ndihmuar të tjerët ose veten është të mos izoloheni. Mund të shkoni dhe të flisni me miqtë tuaj, të shkoni dhe të shihni fqinjët tuaj, të krijoni një ekip mbështetës për veten tuaj, për shembull nënën, babanë, vëllezërit e motrat ose miqtë tuaj", thotë ajo.
"Unë i pyes ata se kush është modeli juaj. Për shembull, nëse Nelson Mandela është dikush që ju e vlerësoni, duhet ta dini se ai kaloi 26 vjet në burg, por për shkak të vlerave të tij, ai mbijetoi dhe bëri diçka për njerëzit. Kjo është mënyra se si unë mundohem t’u jap atyre shpresë dhe qëndresë”.
* Shënim: BBC-ja ka ndryshuar ose ka fshehur emrat e të gjithë të intervistuarve për t'i mbrojtur ata.
(Përktheu: Forca Jashari)