Botë

OKB: Bota po dështon të përmbushë detyrimet e saj për të mbrojtur civilët

Bota po dështon të mbrojë civilët në konfliktet e armatosura dhe numri i njerëzve të vdekur në konflikte dhe pasojat e tyre humanitare u rrit ndjeshëm vitin e kaluar, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Në vitin 2022, OKB-ja regjistroi një rritje prej 53 për qind të viktimave civile krahasuar me një vit më parë, me afro 17 mijë civilë të vrarë në 12 konflikte, shkruan Reuters.

Duke përmendur vdekjet e civilëve në Ukrainë dhe Sudan, shkollat ​​e shkatërruara në Etiopi dhe dëmtimin e infrastrukturës ujore në Siri, Guterres paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB-së se “bota po dështon të përmbushë detyrimet e saj për të mbrojtur civilët, detyrimet e përfshira në të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

Guterres, i cili u ul pranë ambasadorit rus Vasily Nebenzya, ka thënë se një studim i OKB-së mbi trajtimin e civilëve në zonat e luftës tregoi se vitin e kaluar 94 për qind e viktimave të “armëve shpërthyese” si bombat në zonat e populluara ishin civilë, ndërsa më shumë se 117 milionë njerëz u përballën me uri akute, kryesisht për shkak të luftës dhe pasigurisë.

Vetëm në Ukrainë, e cila ka luftuar pushtimin rus për më shumë se një vit, OKB-ja ka regjistruar pothuajse 8 mijë civilë të vdekur dhe mbi 12.500 të plagosur, megjithëse shifrat e vërteta janë ndoshta më të larta.

Në mbarë botën, numri i refugjatëve që janë të detyruar të lënë shtëpitë e tyre #për shkak të konfliktit, dhunës, kërcënimeve ndaj të drejtave të njeriut dhe persekutimit” ka arritur në 100 milionë.