Partia e kryeministrit grek nuk e ka ndërmend të formojë qeveri të re koalicioni edhe pasi fitoi 40 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës. Mitsotakis ka thënë se Demokracia e Re preferon shkuarjen në zgjedhje të reja, ku fituesit përfitojnë mandate shtesë në proporcion me përqindjen e rezultatit. Grekët do të votojnë dy herë brenda pak javësh në kohën kur po përballen me ngritje të kostos së jetesës.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u takua me presidenten e republikës, të hënën, për të marrë mandatin për të provuar të formojë një qeveri koalicioni.
Siç pritej, Mitsotakis ka theksuar se "nuk kishte bazë për të formuar një qeveri nga Parlamenti aktual".
“Besoj se mesazhi i kutisë së votimit ishte shumë i qartë. Nuk besoj se ka terren për të formuar qeveri nga ky parlament dhe dua të theksoj se nëse sistemi zgjedhor që do të përdorim herën tjetër do të përdorej dje, Demokracia e Re do të kishte tashmë një shumicë të fortë parlamentare me mbi 170 deputetë”, ka theksuar Mitsotakis.
Me 99.55% të votave të numëruara herët të hënën, partia konservatore e Mitsotakisit, Demokracia e Re, fitoi 40.79% - dyfish më shumë krahasuar me partinë kryesore opozitare Syriza me 20.07%., derisa Pasoku socialist doli në vendin e tretë me 11.46%.
Por sistemi i njëhershëm i përfaqësimit proporcional në fuqi të dielën do të thotë se Demokracia e Re fiton vetëm 146 nga 300 vendet e parlamentit, pesë më pak se shumica e domosdoshme qeverisëse.
Zgjedhjet e reja, që priten më 25 qershor ose 2 korrik, do të rikthehen në sistemin e mëparshëm që i jep partisë së parë një bonus deri në 50 mandate. Kjo do t'i siguronte Mitsotakisit një shumicë të rehatshme për një mandat të dytë në pushtet nëse rezultati i së dielës qëndron.
Liderët e partisë së dytë dhe të tretë, përkatësisht Alexis Tsipras dhe Nikos Androulakis, do të marrin mandatin sapo Mitsotakis ta kthejë atë zyrtarisht.