Botë

Mundëset indiane luftojnë abuzimin seksual

Mundëset kryesore indiane po rrezikojnë karrierën e tyre në përballje me shefin e fuqishëm të Federatës, Brij Bhushan Sharan Singh, dhe me një kulturë më të gjerë abuzimi. Protestave që filluan në muajin prill u janë bashkuar edhe sportistë të tjerë, por veprimet nga shteti për Singhun e plotfuqishëm politikisht e financiarisht nuk duken në horizont

Mundësja olimpike, Vinesh Phogat, mbledh pëllëmbët e saj teksa mban mbesën e saj të porsalindur, ndërsa rrëfen “pikën e kthesës” që e bëri të vendoste që të protestonte për ngacmimet seksuale ndaj mundëseve femra në Indi.

“Fillova të mendoja për vajzën e vëllait tim tani 9-vjeçare që ka filluar sportin e mundjes”, i tha Phogat, 28 vjeçe, “Al-Jazeeras”, në një protestë në kryeqytetin indian Nju Delhi.

“Disi arritëm të luftonim, luftuam dhe arritëm lartësi të caktuara në këtë lojë. Por për ta shtyrë atë dhe vajzat e tjera në këtë, kur e dimë se sa e keqe është… thjesht nuk munda”.

Kanë kaluar gati tri javë që kur disa nga mundëset më të mira të Indisë – olimpike dhe kampione botërore – kërkuan largimin dhe arrestimin e presidentit të Federatës së Mundjes së Indisë (WFI), Brij Bhushan Sharan Singh, për ngacmimin e dyshuar seksual të atleteve femra për më shumë se një dekadë.

Shtatë mundëse femra, përfshirë një të mitur, kanë denoncuar në polici kundër tij; duke e akuzuar atë për përndjekje, për prekje me qëllim seksual, për komente seksuale dhe “indinjimin e modestisë së tyre”.

Sipas raporteve të lajmeve, dy mundëse pretendojnë se Singhu ua preku gjoksin dhe stomakun me pretekstin e kontrollit të frymëmarrjes së tyre në disa raste. Ai dyshohet se e ka bërë atë në një restorant, në një turne dhe në zyrën e WFI-së.

Mundëset duan një hetim të plotë nga policia që, kanë thënë ato, është e mundur vetëm nëse Singhu – i cili po ushtron mandatin e tij të gjashtë si deputet nga Partia qeverisëse Bharatiya Janata (BJP) dhe ka qenë president i WFI-së që nga viti 2012 – arrestohet.

Image

Mohimi i akuzave

Singhu ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka refuzuar të dorëhiqet.

“Nëse mund të provojnë qoftë edhe një akuzë, nëse kanë video, nëse kam telefonuar dikë, nëse kanë prova, unë jam gati të varem”, ka thënë ai.

Ai ka pohuar se protesta është e motivuar politikisht, dhe pa përmendur emra, tha se mundëset po mbështeteshin nga një politikan opozitar dhe një industrialist.

Protestat fillimisht filluan më 18 janar, kur rreth 30 mundësit kryesorë indianë - meshkuj dhe femra - filluan një protestë në Delhi kundër Singhut pas ankesave nga mundëset për ngacmim seksual. Ata e mbajtën me këmbëngulje protestën e tyre apolitike, duke mos lejuar asnjë politikan të ulet me ta.

Tri ditë më vonë ata anuluan protestën e tyre, pasi iu dha garanci nga ministri i Sportit, Anurag Thakur, se një komision mbikëqyrës ishte krijuar për të hetuar akuzat kundër shefit të WFI-së. Thakur tha gjithashtu se të gjitha aktivitetet e WFI-së ishin pezulluar dhe Singhut i ishte kërkuar që të "tërhiqej" derisa hetimi të përfundonte.

Megjithatë, edhe pse gjetjet e komitetit u dorëzuan në Ministrinë e Sportit, ato nuk janë publikuar dhe mundësit u kthyen në rrugë më 23 prill.

Më 25 prill, Ministria e Sportit tha se "gjetjet kryesore" të komitetit ishin se WFI-së i mungonte një komitet i brendshëm i ankesave, i cili është i detyrueshëm me ligj. Ministria nuk adresoi akuzat kundër Singhut dhe që atëherë ai ka rifilluar të kryesojë turnetë kombëtarë të mundjes.

Po atë ditë, mundësit i kërkuan Gjykatës së Lartë që të detyronte autoritetet të regjistronin një raport informacioni, i cili përbën bazën e hetimit.

Prerna Singh, një avokate që trajton rastet e sulmeve seksuale ndaj të miturve, tha se procesi i përcaktuar me ligj është i qartë dhe i rreptë.

Image

Bashkimi bën fuqinë

Phogat, e cila fitoi medaljen e saj të artë, të tretën radhazi të Lojërave të Komonuelthit në vitin 2022, ka udhëhequr protestën e rreth 20 deri në 25 personave së bashku me medalisten e bronztë olimpike të Tokios, Bajrang Punia, dhe medalisten e bronztë të Olimpiadës së Rios, Sakshi Malik – me rrezik të madh për karrierën e tyre.

Mundja është pa dyshim sporti olimpik më i suksesshëm i Indisë. Në 75 vjet që nga pavarësia, India ka fituar 21 medalje olimpike në sportet individuale, gjashtë prej të cilave janë fituar nga mundësit.

Shumica e mundësve vijnë nga fshatrat, shumë prej tyre nga familje të varfra. Dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga Haryana, një rajon agrar dhe tejet patriarkal me shkallë të lartë të feticideve të femrave dhe vrasjeve për nder.

Sportistet femra janë ankuar prej kohësh për ngacmime seksuale në sportet e tyre, megjithëse kanë hezituar të flasin publikisht.

Phogat tha se disa raste të ngacmimeve seksuale ishin raportuar në të kaluarën, por se Singhu ia doli ose të zhdukte akuzat ose të sigurohej që ankuesi të mos konkurronte më.

Kohët e fundit, tha Phogat, ajo mori një telefonatë nga mundëset e reja femra nga një shtet në Indinë Lindore.

“Ato ishin ankuar në WFI me shkrim për ngacmimin seksual nga një trajner. Trajneri u pezullua për 10 ditë, por u kthye brenda shtatë ditëve si trajner. Kjo është kultura e WFI-së. Kur vetë kreu është i tillë, çfarë veprimi do të marrë kundër të tjerëve?” - tha ajo.

Mundësit protestues kanë refuzuar të ndajnë emrat e grave që janë ankuar.

“Sfondi, fshatrat nga vijmë, njerëzit nuk janë aq të arsimuar atje. Dhe vajzat duhet të jetojnë atje. Ato nuk mund të shkojnë në Londër ose Mumbai. Nëse emrat e tyre janë publikë, dalja nga shtëpia mund të bëhet shumë e vështirë", tha Phogat.

“Bahubali”

BJP-ja, zakonisht e shpejtë për të treguar suksesin e atletëve indianë si rezultat i skemave sportive të kryeministrit Narendra Modi, i ka injoruar protestat.

Singhu është peshë e madhe e BJP-së nga Uttar Pradeshi me ndikim të konsiderueshëm në shtetin më të populluar të Indisë, i cili zgjedh 80 nga 543 ligjvënës.

I referuar shpesh si "Bahubali" (i Forti), Singhu ka imunitet nga fuqia e tij financiare, fuqia politike dhe reputacioni.

I akuzuar për përfshirje në shkatërrimin e Xhamisë Babri në vitin 1992, ai ka një precedent penal që daton që nga vitet 1990, kur u burgos për shkak të gangsterit Dawood Ibrahim. Ai ka ende katër çështje penale në pritje kundër tij, përfshirë për grabitje, tentativë vrasjeje dhe pagesa të paligjshme në lidhje me zgjedhjet.

Në intervistat për kanale të përzgjedhura që nga fillimi i protestës në prill, Singhu ka reaguar me kundërshtime dhe kundërakuza.

"Ne menduam se kishim një kërkesë të thjeshtë"

Ndërkohë, mbështetja për protestat mes sportistëve indianë dhe publikut të gjerë duket se po rritet.

Shumë nga atletët më të mirë të Indisë, duke përfshirë gjashtë herë kampionen e Grand Slamit, Sania Mirza, kampionin olimpik të Tokios, Neeraj Chopra, dhe lojtarin e kriketit, Virendra Sehwag, kanë folur në mbështetje, dhe disa politikanë, aktivistë të të drejtave dhe sindikata të fermerëve tani i janë bashkuar protestës së tyre.

Çdo disa ditë tendencat #ISTandWithMyChampions në Twitter dhe fansat e mbështetësit në të gjithë vendin kanë mbajtur marshime me qirinj.

Në vendin e protestës, mes postblloqeve dhe pranisë së madhe të policisë, mundësit protestues janë përpjekur të mbajnë një rutinë, të përditshme që fillon herët në mëngjes me vrapim dhe ushtrime. Por ndërsa ngërçi nuk po zgjidhet, shqetësimet e tyre po shtohen.

“Është një vit i rëndësishëm. Ka lojëra aziatike në shtator, pastaj kualifikime olimpike. Nuk e kishim menduar se lufta jonë do të vazhdonte kaq gjatë. Ne menduam se kishim një kërkesë të thjeshtë dhe qeveria do të pranonte për të hequr Singhun, por qeveria nuk është e gatshme të ndërmarrë asnjë veprim", tha Malik, 30 vjeç, për “Al-Jazeeran”.

"Ne nuk e dimë nëse dikujt i bëhet vonë, por ne do të jemi këtu derisa ai të dënohet për krimet e tij".

Phogat tha se protestuesit thjesht duan të respektohen të drejtat themelore.

“Ne nuk duam të luftojmë. Ne duam zgjidhje. Ne duam një garanci se nuk do të ketë asnjë ngacmim seksual në mundje”, tha ajo përpara se të shtonte: “Është e lehtë të thuhet se duam këtë dhe atë, por asgjë nuk është më e madhe se politika në këtë vend”.

Përktheu: Forca Jashari