Botë

OKB-ja i kërkon Rusisë kujdes urgjent mjekësor për Navalnyn

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për torturat dhe trajtimet mizore, Alice Edwards, ka bërë thirrje ndaj Rusisë të mërkurën që t’i ofrojë liderit të burgosur opozitar rus, Alexei Navalny, kujdes urgjent mjekësor, raportoi Reuters.

Këtë kërkesë Edwards e bëri pas raportimeve se shëndeti i Navalnyt po përkeqësohej.

Mbështetësit e Navalnyt kanë thënë muajin e kaluar se ai vuante nga dhimbje të forta stomaku në burg, për të cilat ata dyshojnë se mund të jetë shenjë e një lloj helmi me veprim të ngadaltë.

"Jam e shqetësuar nga gjendja e përkeqësuar e shëndetit të z.Navalny dhe mungesa e dukshme e diagnozës dhe trajtimit mjekësor të kënaqshëm", ka thënë Edwards.

Shërbimi disiplinor i Rusisë në të kaluarën ka mohuar akuzat se punonjësit e tij kanë keqtrajtuar Navalnyn, duke thënë se atij i është dhënë gjithmonë trajtim mjekësor kur ka qenë e nevojshme.

"Atij duhet menjëherë dhe vazhdimisht t'i sigurohet kujdesi adekuat, duke përfshirë kontrolle gjithëpërfshirëse mjekësore, trajtim dhe monitorim të situatës së tij shëndetësore në një spital civil", shtoi Edwards.