Botë

Rivali i Erdoganit zotohet ta kthejë demokracinë në Turqi

Rreziku vjen në shumë forma.

Për liderin e një kohe të gjatë të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ajo vjen në formën e një ish-nëpunësi civil, i dhënë pas krijimit të formës së zemrës me duart e tij.

Kemal Kilicdaroglu, i mbështetur nga një aleancë opozitare prej gjashtë partish, thotë se nëse fiton ai do ta sjellë lirinë dhe demokracinë në Turqi, çfarëdo që t’i duhet.

“Të rinjtë duan demokracinë”, tha ai për BBC. “Ata nuk duan që policia të vijë në dyert e tyre herët në mëngjes vetëm sepse kanë postuar në Twitter”.

Ai është rivali kryesor i liderit islamik në zgjedhjet e 14 majit dhe ka një epërsi të ngushtë në sondazhe. Kjo garë e ngushtë pritet të shkojë në raundin e dytë dy javë më vonë.

Aktualisht turqit mund të shkojnë në burg për "fyerje të presidentit". Shumë kanë shkuar.

"Unë po u them të rinjve se mund të më kritikojnë lirisht. Do të sigurohem që ata ta kenë këtë të drejtë", thotë 74-vjeçari, i cili drejton Partinë Republikane Popullore (CHP).

Disa nga mbështetësit e Kilicdaroglut kanë frikë për sigurinë e tij.

"Të jesh në politikë në Turqi do të thotë të zgjedhësh një jetë me rreziqe. Unë do të eci në rrugën time çfarëdo që të bëjë Erdogani dhe aleatët e tij. Ata nuk mund të më largojnë. Ata nuk mund të më trembin. Unë i bëra një premtim këtij kombi".

Presidenti Erdogan, 69 vjeç, është tallur me rivalin e tij në të kaluarën duke thënë se ai "nuk mund të grumbullonte as një tufë delesh".

Tani, a do të shkojë në qetësi Erdogani nëse mposhtet pas 20 vjetësh në pushtet?

“Ne do ta nxjerrim në pension”, ka thënë Kilicdaroglu. “Ai do të stepet qetë. Askush të mos ketë shqetësim për këtë”.

Të tjerët nuk janë shumë të sigurt. Ka indikacione se lideri turk mund të jetë duke u përgatitur të kundërshtojë rezultatin nëse humb.

Politikat ekonomike të presidentit janë kritikuar gjerësisht për inflacionin e lartë. Kushdo që fiton do ta trashëgojë një ekonomi të thyer dhe një komb të ndarë.

Mbi podium, Kilicdaroglu e bën formën e zemrës me duar para turmës. “Gjithçka do të jetë e bukur. Besojeni”, u thotë ai.

Një sondazh i ri sugjeron se Kilicdaroglu do ta fitojë presidencën, por se aleanca e presidentit është përpara në garën për parlament.

Me zgjedhjet në prag, askush nuk mund të jetë i sigurt nëse javët në vijim do të kalojnë në qetësi.