Botë

Një i vdekur dhe katër të plagosur nga të shtënat brenda objektit mjekësor në Atlanta

Një person ka mbetur i vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur pasi një burrë ka shtënë me armë pranë një objekti mjekësor në qendër të Atlantas në Gjeorgji, raportoi të mërkurën CNN-i.

Policia ka njoftuar se viktima ka vdekur në vendngjarje, ndërsa katër gratë e tjera janë duke u trajtuar në spital.

Siç bëhet e ditur, gratë janë qëlluar në dhomën e pritjes së qendrës mjekësore.

Autoritetet janë ende në kërkim të të dyshuarit, i identifikuar si 24-vjeçari Deion Patterson.

Sipas dëshmitarëve, i dyshuari ishte duke vizituar objektin mjekësor me nënën e tij, e cila aktualisht po ndihmon policinë në kërkim.