Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë të hënën se rreziku i konfliktit midis fuqive globale është në “kulm historik”, teksa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi se bota është në një prag edhe më të rrezikshëm sesa gjatë Luftës së Ftohtë.
I ulur pranë Lavrovit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Guterres kritikoi pushtimin rus të Ukrainës për shkaktimin e vuajtjeve dhe shkatërrimeve masive në vend dhe nxitjen e dislokimit ekonomik global të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
"Tensionet midis fuqive të mëdha janë në një kulm historik. Po ashtu edhe rreziqet e konfliktit, nëpërmjet fatkeqësive apo llogaritjeve të gabuara", ka thënë ai në takimin e organit 15 anëtarësh mbi multilateralizmin dhe Kartën themeluese të OKB-së.
Lavrovi kryesoi mbledhjen e këshillit sepse Rusia mban presidencën mujore të radhës të këshillit për muajin prill.
"Ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë, ne kemi arritur pragun e rrezikshëm, ndoshta edhe më të rrezikshëm. Situata është përkeqësuar me humbjen e besimit në multilateralizëm”, është shprehur Lavrovi.
Anëtarë të Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Britaninë, dënuan Rusinë për luftën e saj kundër Ukrainës.
"Mbledhësi ynë hipokrit sot, Rusia, pushtoi fqinjin e saj Ukrainën dhe goditi në zemër të Kartës së OKB-së”, i ka thënë këshillit ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield. "Kjo luftë e panevojshme bie drejtpërdrejt në kundërshtim me parimin tonë më të shenjtë: që një luftë agresioni dhe pushtimi territorial nuk është kurrë, asnjëherë e pranueshme”, shtoi ajo.