Botë

Normat e interesit pritet të bien në nivele të parapandemisë, parashikon FMN-ja

Normat e interesit në ekonomitë e mëdha pritet të kthehen në nivelet e ulëta të parapandemisë, sipas një parashikimi të fundit. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se rritja e kostos së huamarrjes, ka të ngjarë të jetë “e përkohshme”, pasi inflacioni i lart të vihet nën kontroll, shkruan BBC të martën.

Në Angli për shembull, normat e interesit janë rritur nga 0.1 në 4.25 për qind. Rritja ka ngritur në masë të madhe borxhet e kredimarrësve.

Bankat qendrore në Evropë e SHBA dhe shtete të tjera po ashtu kanë rritur normat e interesit, për të luftuar rritjen e çmimeve, të njohur si inflacion.

Në shumicën e shteteve, inflacioni është në vlera rekorde në 40 vjetët e fundit.

Gjithsesi, së fundmi, në një blog FMN-ja ka thënë se “rritjet e fundit të normave të interesit ka të ngjarë të jenë të përkohshme”.

“Kur inflacioni të vihet nën kontroll, bankat qendrore të ekonomive të avancuara ka të ngjarë të zbusin politikat monetare dhe të kthejnë normat e interesit drejt niveleve të parapandemisë”, thuhet në shkrim.

Rritja e normës së interesit ka prekur edhe qytetarët e Kosovës. Vitin e shkuar, norma e interesit kaloi në 6.4 për qind, ndërsa bankat komerciale patën fitim të pastër mbi 120 milionë euro vetëm në periudhën janar-tetor 2022.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, aktualisht figurojnë 653 mijë e 634 kredimarrës që kanë një apo më shumë kredi aktive në të gjithë sektorin financiar. Borxhi i qytetarëve nëpër banka kalon shifrën e mbi 5 miliardë eurove.