Një radio në Afganistanin verilindor, në të cilin programi redaktohet nga gratë, u mbyll pasi ka luajtur muzikë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, ka thënë një zyrtar taleban të shtunën, por stacioni mohon që të ketë bërë një gjë të tillë, shkruan Euronews.
E vetmja radio në Afganistan që redaktohet nga gratë dhe funksionon prej dhjetë vjetësh, “Sadai Banovan” (Zëri i grave), ka tetë punonjës në qytetin e Dariut, gjashtë prej të cilëve janë gra.
Drejtori i informacionit dhe Kulturës në provincën Badakhshan ka thënë se stacioni ka shkelur “ligjet dhe rregulloret e Emirateve Islamike” disa herë duke transmetuar muzikë gjatë Ramazanit dhe se është mbyllur për shkak të kësaj.
“Nëse ky radiostacion pranon politikën e Emiratit Islamik të Afganistanit dhe garanton se nuk do ta përsërisë më ofendimin, ne do ta lejojmë që të funksionojë sërish”, thuhet në njoftim.
Drejtoresha e radiostacionit, Nadzija Soros, mohoi se ka pasur shkelje të ligjit dhe ka thënë se nuk ka nevojë të mbyllet, por se qëllimi është ndërprerja e punës.
Soros ka thënë se talebanët i akuzuan ata për transmetimin e muzikës, por “radio nuk transmetoi asnjë lloj muzike” gjatë Ramazanit.
Ajo ka treguar se më 30 mars në ambientet e radiostacionit erdhën përfaqësues të Ministrisë së Informacionit dhe Kulturës dhe e mbyllën atë.
Në Afganistan, shumë gazetarë humbën punën pasi talebanët morën pushtetin në gusht 2021.
Mediat janë mbyllur për shkak të mungesës së parave ose stafit që largohet nga vendi, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur Afgan.