Botë

Arrestimi i gazetarit, “kartë” e Rusisë kundër SHBA-së

Gazetari Gershkovich, i cili mbulon Rusinë, Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike si korrespondent në zyrën e “The Wall Street Journal” në Moskë, mund të përballet me deri 20 vjet burgim nëse dënohet për spiunazh
 

Evan Gershkovich është gazetari i parë amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga shtatori i vitit 1986, kur Nicholas Daniloff, korrespondent i Moskës për “US News and World Report”, u arrestua nga KGB-ja. Ai u arrestua në Yekaterinburg, me dyshimin e marrjes së informacionit të klasifikuar. Kjo çështje po shihet si një mundësi e ndërtuar për rusët për një shkëmbim të ardhshëm të të burgosurve

Shërbimi rus i sigurisë arrestoi një gazetar amerikan të “The Wall Street Journal” me akuza për spiunazh, hera e parë që një korrespondent amerikan arrestohet për akuza për spiunazh që nga Lufta e Ftohtë. Gazeta i mohoi akuzat. Analistët kanë vlerësuar se rasti i gazetarit është krijuar me qëllim që Rusia ta përdorë për shkëmbimin e të burgosurve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Evan Gershkovichi u arrestua në qytetin e maleve Ural të Yekaterinburgut, ndërsa dyshohet se po përpiqej të merrte informacion të klasifikuar, tha të enjten Shërbimi Federal i Sigurisë, i njohur me shkurtesën FSB.