Botë

Rusia arreston gazetarin e “Wall Street Journal” nën akuza për spiunazh

Shërbimet sekrete të Rusisë kanë arrestuar një gazetar amerikan të “The Wall Street Journal” nën akuza për spiunazh, raporton agjencia AP.

Është hera e parë që një korrespondent i një mediumi nga SHBA-ja arrestohet nën akuza për spiunazh që nga Lufta e Ftohtë. Gazeta ka mohuar pretendimet.

Evan Gershkovich u arrestua në Malet Urale të Yekaterinburgut me pretendimin se po tentonte të siguronte materiale të klasifikuara, është thënë nga Shërbimi Rus i Sigurisë (FSB) të enjten.

Shërbimi thotë se Gershkovich “po vepronte me urdhra të SHBA-së për të marrë informata për aktivitetet e një prej sndërmarrjeve të kompleksit ushtarak-industrial rus që përbën sekret shtetëror”.

Zëdhënësi i Kremlimit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve: “Nuk bëhet fjalë për një dyshim, por është fakt që ai u kap në flagrancë”.

Ndërkohë nga “The Wall Street Journal” janë mohuar gjitha akuzat.

“The Wall Street Journal mohon kategorikisht gjitha pretendimet e FSB-së dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të reporterit tonë të besueshëm dhe përkushtuar Evan Gershkovich. Ne qëndrojmë në solidaritet me Evanin dhe familjen e tij”.